Zëvendës ambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, mirëpriti sot Emiratet e Bashkuara Arabe, Shqipërinë, Brazilin, Gabonin dhe Ganën për të marrë mandatet e tyre 2-vjeçare në Këshillin e Sigurimit. Këshilli i Sigurimit ka 10 vende për anëtarët e përkohshëm, por “dominohet” nga 5 anëtarët e tij të përhershëm, Rusia, Kina, SHBA, Britania dhe Franca, të cilët kanë të drejtën e vetos.
Mandati 2022-2023 do të jetë hera e dytë për Emiratet e Bashkuara Arabe që janë pjesë e Këshillit, pas atij të viteve 1986-1987. Brazili ka shërbyer në Këshill 10 herë, dhe Gaboni dhe Gana nga 3 herë secila. Por kjo është hera e parë për vendin tonë.
Këshilli mblidhet rregullisht për kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe merr vendimet përfundimtare për rezolutat që vendosin sanksione ndërkombëtare, autorizojnë përdorimin e forcës ushtarake dhe nisjen e misioneve paqeruajtëse.
Në dosjen e punës për këtë mandat përfshihet Siria, Jemeni, Libia, Iraku, Libani, Ukraina, Etiopia, Korea e Veriut. Por nuk përjashtohen as çështje të tjera të “nxehtë” si konflikti palestinezo-izraelit dhe programi bërthamor iranian. Për t’u miratuar një rezolutë, duhen të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga anëtarët e përhershëm.
