I sapo renditur në krye të listës së kandidatëve për Prokruror i Përgjithshëm, Olsian Çela, ishte një ndër emrat më të përmendur nëpër rrjete sociale gjatë ditës së enjte…qindra statuse personash publikë e të tjerë iu sulën duke e lidhur me gjyshin e supozuar, prokurorin e diktaturës, Aranit Çela, me të cilin për rastësi mban të njëjtin mbiemër.
“Po vjen nipi i prokurorit gjakatar Aranit Çela”, ishte fraza që dominoi për disa orë rrjetet sociale kur Olsian Çela u rendit në krye të listës së kandidatëve për Prokuror i Përgjithshem. Po supozohej se Olsian Çela ishte nipi i prokurorit të diktaturës Aranit Çela dhe kaq mjaftoi për të krijuar stuhi sulmesh kundër tij. Pas rrëmujës së krijuar në disa media e rrjete sociale, Olsian Çela ka sqaruar për ABC Neës se nuk ka asnjë lidhje me prokurorin e diktaturës komunsite.
Mbiemri “Çela” dhe profesioni “prokuror”, janë dy detaje që aksidentalisht e lidhën Olsian Çelën me prokurorin famëkeq të kohës së diktaturës. Prokurori i ri i kohëve të sotme ka dëgjuar me siguri për ish-prokurorin gjakatar, por ndoshta kurrë nuk i kishte shkuar në mëndje se qoftë edhe për pak orë, do të gjendej nëpër rrjetet sociale e disa media, si nipi i tij, pra nipi i prokurorit komunist Aranit Çela.