Kontinenti i vjetër është në gjendje “pengu”, pasi ende nuk është çliruar nga prangat e pandemisë që e mbajnë të ankoruar në regjimin e masave.
Rritja e shpejtë e rasteve në shumë vende evropiane, shkaktuar nga mutacioni “Omicron”, po i detyron disa qeveri evropiane të hartojnë një plan të qëndrueshëm kufizimi që do të mbrojë popullsinë nga virusi. Por ato po tregohen të kujdesshme të mos bëjnë bllokim të përgjithshëm.
Në listën e vendeve që kanë aktivizuar ‘Planin B” janë shtuar Gjermania, Italia dhe Spanja.
Masat shtrënguese anti-Covid janë duke u përpunuar edhe nga stafi shëndetësor i Londrës dhe Parisit, pas rekordit të zi të infeksioneve.
Në Gjermani, kancelari i ri Olaf Scholtz ka njoftuar kufizime të reja, që përfshijnë edhe ata që janë vaksinuar.
Klubet e natës po mbyllen, aktivitetet masive po anulohen, lojërat sportive do të zhvillohen pa spektatorë.
Për zhgënjimin e papritur e të madh të qytetarëve, nuk do të zhvillohen as festimet tradicionale të Vitit të Ri.
Nga data 28 dhjetor e në vazhdim do të lejohen të mblidhen deri në 10 persona.
Të pavaksinuarit do të mund të takojnë vetëm dy persona nga një familje tjetër.
Diferencimi publik i Institutit Robert Koch është mbresëlënës.
Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, ai u distancua nga politika e qeverisë.
Duke folur për një “dinamikë të paprecedentë të valës së re”, Instituti bëri thirrje që të merren masa tani dhe jo pas Krishtlindjeve.
Kabineti i qeverisë Draghi, në mbledhjen e sotme, miratoi masat e reja që synojnë të reduktojnë sa më shumë rastet me koronavirus.
Më konkretisht, në bazë të vendimeve të marra, kohëzgjatja e lejes së vaksinimit të gjelbër reduktohet nga 9 në 6 muaj, ndërsa deri më 31 mars vendoset përdorimi i maskës në të gjitha ambientet e hapura.
Maskat mbrojtëse Ffp2 do të jenë të detyrueshme për akses në muze, kinema, teatro, dyqane të muzikës live dhe të gjitha mënyrat e transportit.
Në të njëjtën kohë, deri më 31 mars, të gjithë klientët e restoranteve duhet të kenë një leje vaksinimi super të gjelbër (të paktën dy doza të vaksinës kundër koronavirusit), ndërkohë që testi negativ nuk do të zbatohet më.
Për të hyrë në palestra, pishina, muze, ekspozita, burime të nxehta, kazino, qendra kulturore, do të kërkohet “Super Green Pass”.
Deri më 31 janar klubet dhe sallat e ballove do të jenë të mbyllura, ndërkohë që shtyhet të paktën për momentin, zgjatja e vaksinimit të detyrueshëm për punonjësit e administratës publike.
Masat e reja po testohen edhe në Francë, pas rekordit prej më shumë se 90,000 rastesh.
Një rekord negativ i infeksioneve u regjistrua edhe në Britani, me gati 120,000 në një periudhë 24-orëshe.
Në të njëjtën kohë, autoritetet shëndetësore janë në gatishmëri për zbatimin e një regjimi të masave të veçanta në kryeqytetin britanik, ku vërehet përhapja më e madhe e mutacionit “Omicron”.
Në këtë mjedis të trazuar, ekspertët u bien këmbanave për një dozë përforcuese, e cila mbron ndaj “Omicron”, varianti më të ri dhe shumë ngjitës.