220 punonjës policie janë angazhuar gjatë operacionit antikanabis në malësinë e Krujës, me qëllim evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit, për shkak të terrenit të vështirë malor, është dëmtuar fizikisht një punonjës i FNSH-së Tiranë, inspektor Y. S., 47 vjeç, i cili ka rënë nga një terren shkëmbor dhe ka pësuar dëmtime fizike.
Punonjësi i policisë është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë konstatuar gjatë kontrollit 3 ambiente të hapura, në zonë të pyllëzuar, në të cilat ishin kultivuar 180 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, shumica e të cilave u asgjësua me zjarr, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.