Nga Ylli Pata
Refreni politik i opozitës shqiptare pas zgjedhjeve të 2021-shit nuk është sherri i vjetër pa lidhje për Komisionin e Venecias, që u kthye në parodi që nga miratimi i reformës në drejtësi, por “gjakmarrja” e egër mes njerzve të asaj që quhet qendër dhe e djathtë.
Një sherr që nisi prej vendimit të fortë të Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD.
Vendim, që edhe pse sot e ka humbur vulën zyrtare, fuqinë politike e ka edhe më të madhe. Efekti politik i atij vendimi është situata e sotme, ku kemi një sherr të egër e permanent brenda opozitës. Sherr që merr forma nga më të ndryshmet: që nga përplasja e Sali Berishës me Enkelejd Alibeajn, Flamur Nokës me Agron Shehajn, Belind Këlliçi me Klodiana Lalën, apo Enton Abilekajn e Ergys Mërtirin.
Kjo përplasje është gjurma e një fakti politik që do të jetë realisht lajmi i zgjedhjeve të 11 majit. Beteja politike mes dy opozitave që janë krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Opozita e Berishës dhe Metës dhe opozita kundër tyre.
Opozita e Berishës dhe Metës, siç dihet ka refrenin e vjetër kundër SPAK apo çdo institucioni të reformës në drejtësi. Refren që koha e vërtetoi se e kishin thjesht se nuk donin të hetoheshin vetë.
Por ky refren është bërë realisht baza e debatit brenda opozitës. Bazë që shkakun nuk e ka thjesht tek SPAK dhe reforma në drejtësi, por tek linja pro apo kundër Perëndimit.
Ky debat, pavarësisht që Gaz Bardhi e Gjekmarkaj tentojnë t’i hedhin krem dhe mafishe, ai është i ashpër e përnatshëm. Shikohet në nervat e Bushatit apo irritimin e Alibekajt. Të cilët, shënjestrën e kanë të qartë dhe janë më të kthjellët se deputetët e Berishës. Ngaqë ata kan mbrojtur këtë linjë, sipas të cilës drejtësia e re nuk është e Berishës dhe Metës, ndaj është e Ramës.
Apo siç e thotë Lubonja me teorinë e “tre bandave”. Kaq e thjesht është.