Nga Agron Gjekmarkaj
Banaliteti nuk njeh arsye! Ai s’ka as një gram dinjitet dhe krenari! Asnjë kauzë nuk bëhet duke e pasur atë aleat! Gjithsesi, ai shkëlqen në ballin e politikës shqiptare pa dallim ideologjik! Fatkeqësisht, ai është lokomotiva që tërheq këtë vend drejt dëshirave të veta!
Por, ai ka çmim që i paguhet kur e përdor dhe më të lartë kur blihet nga kundërshtari dhe ta përdorë sipas nevojës që ka! Skenat me deputetët e rinj që po hyjnë në Parlament në emër të opozitës, të shpien në të tilla shtigje logjike! Ata deputetë, si fiq të thatë e të pshurrur, po hahen një e nga një nga Kryeministri! Akti i pritshëm i Edi Ramës për t’i mikluar, joshur, duartrokitur e pagëzuar nuk e shpëton aspak nga përgjegjësia ndaj mbështetësve të vet lidershipin e PD dhe LSI! Ata ishin emrat e tyre në listë, aty nuk ua këllasi Edi Rama! Ai tani thjesht po i kashagit e shtie në vathën e vet duke i mjelë nëpërmjet “virtyteve” private e publike që po shfaqin! Ky fenomen i ri e meriton një reflektim! Edhe një herë para nesh shfaqet brutalisht kriteri, me të cilin bëhet politikë në Shqipëri dhe cilësia etike, intelektuale e politike që kompozon deputetin shqiptar si figurë publike! Stilemat e Fishtës si matrahul, shakllaban, surrtqerep, bihude, frote e tjerë, sot janë dhimbshëm aktuale! Lulzim Basha ka pranuar që ka gabuar me listën e tij, por tani është në nderin e tij që gjatë takimeve me qytetarët t’u kërkojë përsëri falje për këta renegatët e tij qesharakë! Po shijon shakanë e fatit, i cili nuk u tregua aspak zemërgjerë!
Por ana më e shëmtuar e kësaj medaljeje rri te hazërllëku i qeverise për të krijuar një opozitë të re! Çfarë mjerimi dhe miopie, çfarë deliri dhe anakronizmi historik!? Kur një qeveri përpiqet të emërojë opozitën, ajo është në dekompozim të plotë! Në këtë rast po korruptohet thelbi i sistemit! Kjo ndodh natyrshëm, ditën për diell në sy të ambasadorëve dhe mediave proqeveritare, që, të ekzaltuara, thonë iku edhe një! Ç’duhet të mendojmë për zgjedhjet në zonat e largëta ku syri i kamerës nuk arrin kurrë? Përfytyrimet tona do të ishin të mangëta nëse Gjushi dhe filozofët që kontribuojnë në botën e tij shpirtërore nuk do të na qartësonin me dosjen “339” të shitblerjes së votës! Ajo duket ngjarje modeste, anësore thjesht një delikatesë elektorale përballë asaj që i detyron kandidatët në listën e opozitës, të cilët një herë nënshkruajnë publikisht dorëheqjen, mbajnë fjalime në mitingje, protestë, për dobinë e aktit dhe më pas pendohen e hyjnë në Parlament për të marrë përgëzimet e Arben Ahmetajt, personazh ky kaq i dëlirur nga çdo lloj mëkati! Megjithëse sistemi është gjymtuar, megjithëse korrupsioni është kryefjala e aktivitetit të përditshëm, megjithëse opozita është në rrugë dhe një hap nga bojkotimi i zgjedhjeve lokale, duke i dhënë një përmasë të re krizës, shenja këto që shpirti i kësaj qeverie është në grahmat e fundit, vesi i asaj nuk po i del as me shpirtin! Jemi në një epokë kur përshtypja nuk tronditet më po nëse do ishim në një tjetër deputet legal të opozitës së re, meritojnë t’u bëhet me gisht nga fëmijët rrugëve, nën tingullin yyyyyyy! Ata sot janë simboli më i prekshëm çfarë Shqipëria, qeverisja dhe politika e saj janë! Ndaj, djegia e mandateve është gjeja më e mirë që ka bërë Lulzim Basha në jetën e tij! Në mos tjetër ka ndihmuar që të na rrëfejë krizën e gjithçkaje që na rrethon, e cila të hyn në zemër si një dhimbje krejt si bukuria e parezistueshme, por me efekt te kundërt!