Teksa PS ka kërkuar bashkëpunimin e PD për votimin e ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e mandatit të institucionit të vettingut për gjyqtarët që ende nuk e kanë kryer këtë proces, ka ardhur edhe përgjigja pozitive nga demokratët.
Nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj tha në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv se do të votohen ndryshimet Kushtetuese që duhen për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në mënyrë që të çmontojmë këtë regjim.
“Këta të PS kërkojnë shtyrjen e mandatit të vettingut, ka vetëm një busull të vetëm që jemi të detyruara për ta kërkuar edhe për ta mbështetur me votën tonë. Çdo iniciativë e cila shkon në interes të publikut dhe shkon drejt çmontimit të këtij shteti që ka eliminuar të gjitha elementet e ndarjes së pushtetit dhe demokracisë, jo vetëm do japim votat, por do të kërkojmë me forcë që të largojmë këtë regjim”, tha Alibeaj
Në qershor të 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njohur si vetingu në shkallën e parë, i skadon afati, në një kohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Për këtë arsye mazhoranca ka artikuluar se do të kërkojë shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vetingut dhe komisionerit publik, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojnë në këtë aspekt.