Në një kohë kur opozita joparlamentare do të jetë në protestën e 7 kombëtare të thirrur prej tyre, mësohet se Partia Socialiste dhe kryeministri Rama do të jetë në Lezhë për fushatën elektorale ku do të prezantohet edhe kandidati i këtij qarku, Pjerin Ndreu.
Këtë e ka njoftuar edhe vetë kryeministri Rama me anë të një reagimi në Twitter ndërsa thekson se në orën 18:00 do të jetë së bashku me Pjerin Ndreun në Lezhë për t’i dhënë një hov të ri fushatës.
Rama gjithashtu shkruan se Lezhës dhe Shëngjinit do t’i hapet një kapitull i ri për zhvillimin turistik dhe ekonomik.
“Sot 18.00 fushata e 30 qershorit vijon me Lezhën, të cilës bashkë me Pjerinin do t’i japim një hov të ri me rrugën e re turistike Shëngjin/Velipojë e hapjen e një kapitulli të ri zhvillimi turistik e rural për ta vënë atë dhuratë të natyrës në funksion të ekonomisë e punësimit” shkruan Rama.