Nëse do të dëshironi targa të veçanta për mjetin tuaj tashmë mund ta bëni online. Ky është shërbimi i ri i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.
Aplikimi bëhet online në faqen e DPSHTRR-së. Për automjetet ky shërbim është klasifikuar në dy drejtime. Kategoria e Parë përfshin të gjitha targat, trenumërorët e të cilave janë të njëjtë, pavarësisht nga çifti i shkronjave para dhe pas tyre, si edhe dy trenumërorët 001 dhe 007 që kanë kërkesa më të larta.
Për shembull: “111, 222, 999 dhe 001, 007”. Tarifa është 30,000 Lekë plus tarifat standarde të shërbimit të regjistrimit të automjetit.
Kategoria e Dytë përfshin të gjitha targat, trenumërorët e të cilave fillojnë me dy (2) zero, pavarësisht nga çifti i shronjave para dhe pas tyre (përveç 001 dhe 007).
Për shembull: “002, 006, 009”. Tarifa është 20,000 Lekë plus tarifat standarde të shërbimit të regjistrimit të automjetit.
Për motomjetet ofrohet një kategori e veçantë që përfshin të gjitha targat, trenumërorët e të cilave janë të njëjtë, pavarësisht nga çifti i shkronjave para dhe pas tyre.
Për shembull : “111, 222, 999”. Tarifa është 10,000 Lekë plus tarifat standarde të shërbimit të regjistrimit të motomjetit.
Për të gjitha kategoritë, përveç vlerës së shërbimit, do të aplikohet edhe vlera prej 7,700 Lekë që përfshin tarifat standarde për pajisjen me targë/regjistrim mjeti pranë DRSHTRR-ve për automjetet; ndërsa kjo vlerë për motomjetet është 6,700 Lekë.
Për automjetet nuk përfshihen tarifa RBS, Kalim Pronësie ose ndryshim formati targe nga drejtkëndëshe në katrore. Të gjithë aplikantët e këtij shërbimi do të kenë prioritet në kryerjen e procedurave, pa pritur në rradhë.
Rregullat e Aplikimit
Të gjithë qytetarët/subjektet duhet të kryejnë regjistrimin online nëpërmjet këtij sistemi, duke paraqitur të dhënat e kërkuara të mjetit dhe ato personale/të subjektit të sakta, sipas kartës së tyre të identitetit/niptit të aktivitetit.
Por duhet të keni kujdes! në momentin e marrjes së shërbimit pranë DRSHTRR-ve, duhet të jetë ose zotëruesi i mjetit ose person i autorizuar nga subjekti biznes, enti leasing, koncesionar, agjenci shërbimesh. DPSHTRR rezervon të drejtën të pezullojë rezervime që kryhen nga persona që dyshohet se luajnë rolin e sekserëve ose që shtojnë tarifa të paautorizuara mbi këtë shërbim publik, si edhe ndalon aksesin në sistem përgjithmonë për keqpërdorim të shërbimit. Në çdo rast kur një rezervim nuk rezulton në kryerjen e shërbimit për mosparaqitjen e qytetarit/subjektit brenda afatit, targa rikthehet automatikisht në sistem për t’u rishitur përmes rezervimeve të reja.
Pas plotësimit me sukses të aplikimit online, qytetari/subjekti ka një dritare kohore me afat të kufizuar, që do i informohet me email, me detajet e komunikimit për paraqitjen pranë sportelit të zgjedhur të drejtorisë rajonale për të kryer pagesën e shërbimit dhe targimin e mjetit.