Presidenti amerikan, Donald Trump pranoi të ulë tarifat amerikane ndaj Zvicrës nga 39% në 15%, si pjesë e një pakti të ri tregtar, duke ulur tarifat që tensionuan lidhjet ekonomike dhe goditën eksportuesit zviceranë.
Të dy vendet kanë nënshkruar një “memorandum mirëkuptimi jo-detyrues”. Këtë e njoftoi qeveria zvicerane, pas bisedimeve dypalëshe në Uashington dhe lobimit intensiv nga firmat zvicerane. Përfaqësuesi tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer gjithashtu konfirmoi përparimin të premten duke thënë se të dyja palët arritën një marrëveshje.
Qeveria zvicerane theksoi se administrata Trump ra dakord të kufizojë tarifat e SHBA-së ndaj Zvicrës dhe Lihtenshtajnit në një maksimum prej 15% sipas marrëveshjes. Në këmbim, Zvicra do të ulë tarifat mbi një gamë produktesh amerikane.
Zyrtarët zviceranë u zotuan gjithashtu të japin një sërë kuotash për mallrat amerikane që mund të eksportohen në Zvicër pa taksa, duke përfshirë 500 ton mish viçi, 1.000 ton mish bizoni dhe 1.500 ton shpendë. Koha e saktë e zbatimit dhe kur do të zbatohen tarifat dhe kuotat e reja, ende nuk është finalizuar.
