Policia në Britaninë e Madhe bën me dije se ka sekuestruar 6 tonë kokainë në një ngarkesë me banane, e cila konsiderohet si sasia më e madhe e drogës së klasit A që zbulohet në ishull.
Agjentët e Agjencisë Kombëtare të Krimit dhe Forca Kufitare e gjetën drogën me vlerë 500 milionë euro në një kontenier që kishte mbërritur në portin e Southampton.
Ngarkesa kishte si destinacion portin e Hamburgut, për t’u shpërndarë më pas në tregjet e tjera europiane. NCA tashmë ka nisur punën me partnerët europianë për të identifikuar rrjetin kriminal që fshihet pas kësaj sasie të madhe droge.
Sipas agjencisë, kjo është një goditje e madhe për narkotrafikantët, të cilët mendohet se fitojnë 4 miliardë paund në vit nga shitja e kokainës vetëm në Britani.