Fermerët e Zadrimës ekspozuan gjelin e detit të rritur në mënyrë natyrale, një traditë e hershme e kësaj zone, e cila njihet prej vitesh për cilësinë e lartë të prodhimit.
Aktiviteti bëri bashkë mbarështues të gjelit të detit dhe banorë të zonës së Zadrimës. Në panair u ekspozuan shpendët, ndërsa organizimi synonte nxitjen e prodhimit vendas. Kjo është periudha kur tregtohet edhe gjeli i detit dhe fermerët janë të kënaqur me shitjen dhe çmimin.
“Në të vërtetë është shumë i vështirë për t’u rritur, por është shumë i bukur kur shitet. Ne e shesim vetëm një herë në vit, në dhjetor për festat e fundvitit,” tha një nga fermerët.
“Ka patur treg, ka patur shitje, sepse është i rritur bio dhe njerëzit po e preferojnë,” tha një tjetër.
Edhe ata që merren me biznes vlerësojnë gjelin e detit të kësaj zone.
“Është shumë frytdhënës dhe duhet të japim diçka që gjeli i detit të mos mbetet vetëm i rajonit të Zadrimës, por t’i japim edhe pak më përtej, sepse realisht ka cilësinë e duhur, standardin e ushqimit,”tha një përfaqësues i agroturizmit.
I pranishëm në këtë panair ishte edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili premtoi më shumë mbështetje për fermerët e kësaj zone.
“Të gjithë institucionet bashkë, bashkia, ministria e Bujqësisë, duhet të bëjnë më shumë në drejtim të fermerëve, jo vetëm për gjelin e detit, por për gjithçka mundemi, që zona e Zadrimës, si një ndër zonat më të spikatura në fushën e agrokulturës dhe kultivimit të gjelit të detit, të jetë e mbështetur dhe gjithmonë në fokusin e qeverisë.”, tha Ndreu.
Përveç gjelit të detit, në këtë panair u ekspozuan edhe produkte të tjera të zonës.
