Po rrëshqasim në kaos dhe anarki thotë ish deputeti i LSI-së Edmond Panariti në një status në Facebook duke vënë në dukje se sistemi ka rënë, pasi nuk ka gjyqësor, nuk ka opozitë në Parlament.
Ai vëren se sot flitet thjesht me terma formale, ku kjo formë arsyetimi ka shërbyer dhe si kriter i pozicionimit dhe vlerësimit nga ndërkombëtarët. “Por mjerisht, nuk shihet dhe fshihet ajo që realisht po ndodh. Po ndodh që vendi nuk ka më sistem! Ai është jashtë binareve! Sepse nuk ka gjyqesor, nuk ka gjykata supreme, si ajo kushtetuese, ajo e larte e me radhe. Vendi nuk ka më parlament, tashmë të mbetur pa opozitë. Ai nuk ka më kontroll të lartë të shtetit, e keshtu me radhe. Prandaj Shqiperia i ka të permbysura, traret kushtetues të një demokracie funksionale. Per këtë aresye po rreshqasim në kaos dhe anarki, të cilat më pas ushqejne diktaturen, nxitin dhunen mbi qytetarin e pa mbrojtur nga një gjyqësor inekzistent! Mjerisht perfunduam “shteti” i qytetarëve te sunduar nga ligje të cilat vetëm sa noterizohen ne kuvend”, thotë Panariti.
Për ish deputetin e LSI ringritja e sistemit me institucione garante dhe të balancuara është thelbi i krizës që pret sot zgjidhje. “Sigurisht, zgjidhje me zgjedhje, por jo me ato ku “melcite” i varen në qafe ujkut! Kjo është sfida e demokracise, kjo është kauza e opozitës dhe e protestës sot”, thotë ai.