Në prag të grumbullimit të parë për aventurën e re të kualifikueseve për kampionatin Europian, Christian Panucci tregon në një intervistë për TCh parapërgatitjet e kësaj “ere të dytë” të tij, pas një asaj të Ligës së Kombeve aspak pozitive. “Tani po i shohim të gjithë, janë edhe lojtarët që janë kthyer nga dëmtimet, që po i mbaj në vëzhgim. Sigurisht idenë e grupit e kemi, por po ndjekim edhe ndonjë lojtar të ri, kështu që mund të të them se jam optimist për ndeshjet kualifikuese të Europianit. Gati një vit e gjysmë më parë, pata thënë që do të bëjmë disa eksperimente dhe do të provojmë gjëra të reja. Është faji im, se u mundova që t’i jap një ide kësaj skuadre, por me sa duket nuk ka kohë për t’i dhënë një ide. Do të ndryshojmë diçka duke filluar që nga mënyra e stërvitjes”, tha Christian Panucci.
Ndërkohë që lajmet nga lojtarët janë të ndryshme, nga mosaktivizimi i Hysajt, te gjendja shumë e mirë e Gjimshitit. “Sigurisht të mos aktivizohesh është gjithmonë një problem. Elsi është një lojtar që punon shumë, futbollist ekspert me shumë eksperiencë dhe një djalë pozitiv. Uroj që të luajë ndonjë ndeshje deri në fund të sezonit, që të paktën të jetë në gjendje për të luajtur në grumbullimin e ardhshëm. Më vjen mirë, ndërkohë, për Gjimshitin, që po aktivizohet dhe po bën paraqitje të mira tek Atalanta. Ky fakt më fut disi në dyshime, nëse do të më duhet të luaj me 3 apo me 4 mbrojtës”, tha Panucci.
Kjo erë e dytë e Panuccit, pas asaj të Ligës së Kombeve, ka sërish një tjetër objektiv. “ Gjëja speciale dhe objektivi është që të renditemi mes dy të parave në këtë grup për t’u kualifikuar, por nuk duhet të harrojmë realitetin dhe të kuptojmë që Shqipëria është në vend të katërt në këtë grup. Nëse do t’ja dalim dhe unë jam i bindur që munde t’ja dalim, atëherë të gjithë jemi të kënaqur, nëse nuk ia dalim dhe Presidenti nuk është i kënaqur Panucci ikën në shtëpi”, tha vet tekniku italian. Emri i Christian Panuccit u lakua disa herë gjatë javëve të fundit, për oferta të ndryshme, por trajneri kuqezi mohon çdo gjë. “Nuk më ka telefonuar asnjëherë askush. Nëse nesër do të më telefonojnë Real Madrid, Paris SG, Partizani apo Kukësi, një sekondë më pas unë do të telefonoj drejtpërdrejt presidentin, sepse me të kam një raport shumë korrekt”, tha Panucci.