“Krijimi i një familjeje në Itali po bëhet një përpjekje titanike që vetëm të pasurit mund ta përballojnë”, u shpreh Papa Françesku, ndërsa renditi disa arsye që po i pengojnë të rinjtë të kenë fëmijë.
“Të rinjtë jetojnë në një klimë sociale në të cilën krijimi i një familjeje po kthehet në përpjekje titanike, në vend që të jetë një vlerë e përbashkët. Të ndihesh i vetmuar dhe i detyruar të mbështetesh vetëm në forcat e tua është e rrezikshme. Për këtë arsye vetëm më të pasurit mund të përballojnë, falë burimeve të tyre, më shumë liri. kjo është e padrejtë dhe po ashtu edhe poshtëruese.”
Duke folur në një konferencë mbi krizën demografike në rritje, Papa Françesku shtoi se rënia e lindjeve sinjalizon mungesë shprese në të ardhmen.
“Vështirësia në gjetjen e një pune të qëndrueshme, vështirësia në mbajtjen e një të tillë, shtëpitë tepër të shtrenjta, qiratë e larta dhe pagat e pamjaftueshme janë probleme reale. Tregu i lirë tepër i egër po prodhon situata dhe pabarazi gjithnjë e më të rënda. Nuk mund të pranojmë që kaq shumë të rinj të luftojnë për të realizuar ëndrrën e tyre familjare dhe detyrohen të ulin dëshirën për shkak të një sërë arsyesh.”