Papa Leo XIV priti një sërë aktorësh dhe regjisorësh të njohur nga Hollywood-i në Vatikan, në një audiencë të veçantë që kishte për qëllim të thellonte bashkëpunimin mes Kishës Katolike dhe botës së kinemasë. Në mesin e të ftuarve ishin Cate Blanchett, Viggo Mortensen, Spike Lee, Monica Bellucci dhe Gus Van Sant.
Papa Leo lavdëroi fuqinë transformuese të filmit, duke e cilësuar atë një formë arti që argëton, edukon dhe “ka aftësinë të mahnitë”. Ai i inkurajoi artistët të mos shmangin realitetet e dhimbshme të botës, por t’i trajtojnë me ndershmëri dhe humanizëm.
“Dhuna, varfëria, mërgimi, vetmia, varësia dhe luftërat e harruara janë plagë që duhet të tregohen”, deklaroi Papa. “Kinemaja e mirë nuk e shfrytëzon dhimbjen, por e njeh dhe e eksploron atë”.
Ai kërkoi mbështetje institucionale për industrinë e filmit, veçanërisht në një kohë krize financiare dhe pas grevës së madhe të Hollywood-it.
Pas fjalimit dhe bekimit, Papa takoi personalisht secilin pjesëmarrës. Cate Blanchett i dhuroi një byzylyk që simbolizon solidaritetin me njerëzit e zhvendosur, ndërsa Spike Lee i dorëzoi një fanellë të New York Knicks me numrin 14 dhe mbishkrimin “Pope Leo”.
