Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar se më 12 nëntor demokratët po përgatiten për një nga protestat më të mëdha që është bërë ndonjëherë në Shqipëri.
Këtë lajmërim ish-kryeministri e bëri gjatë një takimi me banorë të Kombinatit dhe Astirit në Tiranë, teksa e cilësoi Edi Ramën një armik të shqiptarëve.
“Të dashur demokrate dhe demokratë të pranishëm në sallë. Së pari unë dua t’ju shpreh mirënjohjen më të pakufishme për qëndresën më të madhe qytetare ndaj një padrejtësie, që kërkonte rrënimin e banesave tuaja, për interesat e trafikantët dhe politikanët e lidhura me këto grupe. Në mbi 400 ditë protestë, ju dëshmuat shpirtin tuaj të pamposhtur. Shpreh shumë mirënjohje për ju që në zgjedhjet e fundit parlamentare, votuan Partinë Demokratike, kandidatin e saj, më shumë se shumë herë në vite me radhë. Ne takohemi në një moment shumë të rëndësishëm për demokracinë shqiptare. PD sot si forcë opozitare më e fuqishme se kurrë, është e angazhuar kryekëput në 2 prioritete. E para, në një protestë të fuqishme, të paparë ndonjëherë në Tiranë. Sepse kurrë në 30 vite, ju banorët e Tiranës e mbarë Shqipërisë nuk keni patur një armik kaq të egër të identitetit tonë kombëtar, të fëmijëve tuaj, të shkollimit të tyre. Një armik të shëndetit dhe të çdo shqiptari. Kjo jo vetëm se ka shkatërruar sistemin e shëndetësisë, pasi ju nga politikat që ai ka ndjekur ka bërë që ju të paguani për këtë shërbim më shumë se ç’do vend tjetër i Europës. E ka shndërruar Tiranën me lejet e ndërtimet që ka bërë, në 10 qytetet më të ndotur të botës. Edi Rama është një armik, pasi për të gjithë shqiptarët që i thonë lirisë liri, ai iu rrëmben votën”, u shpreh Berisha.