Kryeministri britanik Boris Johnson ka paralajmëruar sot se vala e tretë e koronavirusit që po kalon nëpër Evropë mund të drejtohet në Britani.
“Mendoj se një gjë që ia vlen të theksohet është se kontinenti i vjetër aktualisht po përjeton valën e tretë dhe njerëzit në vendin tonë nuk duhet të kenë iluzione. Eksperienca e mëparshme na ka mësuar se kur një valë godet fqinjët tanë, atëherë do të mbërrijë edhe në brigjet tona dhe unë pres se do të ndjejmë efektet e saj. Ndaj po ecim përpara me procesin tonë të vaksinimit sa më shpejt të mundemi”, tha Johnson.
I pyetur lidhur me rrezikun që programi i vaksinimit të Britanisë të pengohet nga BE-ja, që mund të bllokojë eksportet e vaksinave drejt Mbretërisë së Bashkuar, Johnson tha se nuk pret që një gjë e tillë të ndodhë.
Liderët e vendeve anëtare pritet të diskutojnë vendosjen e një embargoje mbi eksportin e vaksinave drejt Britanisë në një samit që do të mbahet të enjten, pasi kanë mbetur mbrapa Mbretërisë së Bashkuar në procesin e vaksinimit.