Deputeti i PD-së së Rithemelimit, Oerd Bylykbashki thotë se do të depozitojë në SPAK një kallëzim penal për Eko-Parkun e Durrësit. Në një deklaratë për mediat, ai e cilësoi këtë një projekt korruptiv dhe i bëri apel SPAK-ut të ndërhyjë për të vënë para drejtësisë nivelet më të larta, duke shkuar deri te Edi Rama. Sipas tij ky është një skandal, që është pjesë e mega-skandalit korruptiv të inceneratorit.
“Është i lidhur drejtpërdrejtë me të në të gjitha aspektet. Jo vetëm në interesat korruptive, jo vetëm për faktin që e gjitha është konceptuar në lidhje organike me skandalin e inceneratorit të Tiranës, që nuk ekziston. Pra mbetjet e Durrësit, ajo plagë e madhe mjedisore, sipas këtij projekti, do dërgoheshin në mënyrë korruptive në një incenerator që nuk ekziston. E gjitha kjo e arkitektuar në një mendje diabolike korruptive në majat më të larta, që inicion te kryeministri dhe ekzekutohet më pas nga mekanizmat në vartësi të tij, për të çuar para te të njëjtat persona që janë nën hetim sot për aferën e inceneratorit. Emri që del fare qartë është ai i Klodian Zotos. Pra e gjitha në të njëjtin koncept”.
Ai paraqiti disa fakte që sipas tij dëshmojnë këtë aferë për të cilën do të depozitohet në SPAK një kallëzim penal. Sipas tij për këtë u vunë në dispozicion 19 milionë euro, duke prishur të gjithë procedurën e tenderimi dhe duke i mbyllur gojën kundërshtarëve politikë.
“U prish e gjithë procedura e tenderimit për t’u bërë një negocim pa shpallje dhe për ta marrë përsëri Klodian Zoto, nëpërmjet një kompanie të ngritur përmes shoferit të tij. Nga 19 milionë euro që u tenderuan, u nënkontraktua më pas për 6.5 milionë euro. Pra, rreth 12.5 milionë euro shkuan në xhepat e atyre që arkitektuan këtë aferë korruptive. Si në shumë aspekte të tjera, Edi Rama është kujdesur që përmes kësaj afere t’i mbyllë gojën edhe kundërshtarëve të tij politikë. Kjo aferë provon vetëm një gjë: mekanizmin gjigant me të cilin zhvaten paratë e shqiptarëve duke kryer vepra korruptive me ndjesinë e pandëshkueshmërisë”.