Të gjithë minatorët që ishin bllokuar në Minierën e Trepçës tanimë janë nxjerrë dhe gjendja shëndetësore e tyre është e mirë.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi.
Ai ka theksuar se në orët e para të mëngjesit të 10 prillit, rreth 40 minatorë u ngujuan në Minierën e Trepçës, e cila gjendet në Stantërg, në afërsi të Mitrovicës.
Jonuzi ka theksuar se minatorët, janë nxjerrë nga miniera përmes formës alternative, gjegjësisht, përmes rrugës prej ku nxirren mineralet, në formë mekanike dhe jo përmes ashensorit.
Ai ka theksuar se minatorët që ishin të ngujuar, pas daljes, përveç shqetësimit të përgjithshëm, nuk kanë shprehur shqetësim shëndetësor.