Presidenti amerikan Donald Trump të enjten mori vendimin për të ndëshkuar zyrtarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke autorizuar sanksione ekonomike kundër tyre, si dhe zgjerimin e kufizimeve të vizave për zyrtarët dhe familjet e tyre.
Përpjekjet vijnë mes zemërimit të administratës Trump mbi përpjekjet e ICC për të hetuar krimet e pretenduara të luftës nga trupat amerikane në Afganistan. Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në gjykatën ndërkombëtare dhe nuk e njohin autoritetin e saj.
Në një deklaratë, sekretari për mediat në Shtëpinë e Bardhë, Kayleigh McEnany pohoi se gjykata është e korruptuar dhe tha se SHBA dyshon se organi ndërkombëtar po manipulohet nga kundërshtarët e ShBA.
“Veprimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare janë një sulm ndaj të drejtave të popullit amerikan dhe kërcënojnë të cenojnë sovranitetin tonë kombëtar”, thuhet në deklaratë.
Gjykatësit e ICC në mars autorizuan hetimin për një sërë veprimesh të supozuara në Afganistan, përfshirë veprimet e forcave të qeverisë afgane, trupave amerikane dhe talebanëve. Besohet të jetë hera e parë që prokurori i gjykatës është lejuar të rishikojë veprimet nga forcat amerikane.