Kancelari gjerman, Olaf Scholz pas qëndrimit në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, do të udhëtojë sot drejt në Izrael, për të treguar solidaritetin e tij. BE po planifikon një urë ajrore ndihme për civilët palestinezë.
”Për mua ka rëndësi të tregoj solidaritetin me Izraelin edhe thjesht praktikisht përmes vizitës sime”, deklaroi kancelari gjerman, Olaf Scholz. Ai do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, ku pritet të flitet për “çështje konkrete praktike”, si gjendja e sigurisë në Izrael dhe organizimi i ndihmës humanitare. Përveç kësaj do të diskutohet, se si mund të pengohet që konflikti të përhapet në rajone të tjera.
Kancelari Scholz është i parë kryetar qeverie që udhëton në Izrael pas sulmit masiv të organizatës terroriste palestineze të Hamasit më 7 tetor. Më pas Scholz shkon në Egjipt për të zhvilluar bisedime. Egjipti kufizohet me Rripin e Gazës të sunduar nga Hamasi terrorist.
