Brenda 30 ditëve Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë vendimin nëse do të shkarkojë apo jo Ilir Metën nga posti i Presidentit, ndërsa ish-deputeti Halit Valteri thotë me bindje se ai nuk do ta përfundojë mandatin. Në studion e emisionit “Repolitix” Valteri tha se Meta ka shkelur Kushtetutën, ndërsa për deklaratat e tij “amerikanët do më vrasin te Mali me Gropa”, deputeti u shpreh se Presidenti i bën pasi kalon normën e alkoolit.
“Meta ka shkelur Kushtetutën duke anuluar një palë zgjedhje dhe e dyta ka dalë nga roli i tij si President, që është mbi palët, duk u bërë pjesë aktive kundër maxhorancës në pushtet dhe duke u bërë palë me partinë e tij familjare dhe opozitën. Pasi kalon atë normën e alkoolit nga dreka del e thotë do më vrasin amerikanët te Mali me Gropa. Nuk ka diskutim që Meta ka shkelur Kushtetutën. Meta nuk është më presidenti i të gjithë shqiptarëve dhe nuk përfaqëson më institucionin për të cilin është votuar. Për mua do të shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Në 30 vite po shkojmë drejt vdekjes politikisht dhe kemi po Sali Berishën e Ilir Metën që nuk di se çfarë i ka ngelur më pa i shtrydhur këtij vendi. Meta nuk do ta përfundojë mandatin, do dali prapë te partia e tij në fushatë e do mundohet të marrë një votë më shumë se Luli në çdo bashki. Do jetë i pari President në historinë e Shqipërisë që do shkarkohet”, u shpreh ai.
Në të njëjtin mendim me Valterin ishte edhe Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ibsen Elezi, i cili shtoi se me ndërhyrjen e tij, Meta i bëri më shumë keq sesa mirë opozitës.
“Meta e ka cenuar Kushtetutën për shkak të qëndrimeve të veta. Ka anuluar zgjedhjet e ka caktuar datë pa u konsultuar me partitë. Këto janë dy shkelje. Duke u bërë pjesë e opozitës, Meta e dëmtoi nuk e ndihmoi sepse opinioni publik reagoi kundër”, tha Elezi.
Duke e konsideruar nismën e Kuvendit për shkarkimin e tij lajthitje politike dhe në kundërshtim me ligjin, Presidenti Ilir Meta publikoi mëngjesin e sotëm përgjigjet për 72 pyetjet e adresuara nga Gjykata Kushtetuese. Në dokumentin voluminoz prej 53 faqesh, lidhur me deklaratën e tij se SHBA do e vrasë në malin me gropa por edhe për akuzat se ambasadorja e SHBA, Yuri Kim është e korruptuar Meta zbulon për herë të parë se është ankuar zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë.
Dje u zhvillua edhe seanca e tretë dhe e fundit në Gjykatën Kushtetuese, ku pasi palët dhanë konkluzionet përfundimtare, Kushtetuesja ka njoftuar se vendimin e arsyetuar do e jap brenda 30 ditësn. Ndërkohë, Presidenca ka theksuar se do të padisë Kuvendin, me argumentin se kanë manipuluar provat duke qenë kjo edhe pika më e fortë e mbrojtjes së kreut të shtetit.