Partia Demokratike është solidarizuar me shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët këtë të hënë protestuan kundër shtypjes dhe diskriminimit që, sipas tyre, po ushtrohet ndaj tyre nga autoritetet e Serbisë. Sipas PD-së, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë sot qytetarët më të shtypur dhe të diskriminuar në Europë.
“Ata vuajnë egërsinë e racizmit të regjimit të Beogradit ndaj tyre që bënë gjithçka për largimin e tyre nga trojet e tyre shekullore”, thekson PD në një deklaratë për shtyp.
Partia Demokratike e Shqipërisë thotë se mbështet plotësisht kërkesat e drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për Dinjitet dhe Identitet dhe i bën thirrje autoriteteve të Beogradit të respektojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Konventa Europiane e të Drejtave të Minoriteteve që Serbia ka firmosur dhe të ndalojë çdo formë diskriminimi të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore të Luginës së Preshevës.
