Partia e të Drejtave të Mohuara, mbështet banorët e Zall Gjoçaj në protestën e tyre për mos lejimin e ndërtimit të HEC-it pasi ju pamundëson jetesë duke ju marrë të vetmin burim jetë, ujin.
Protesta ka nisur prej kohësh dhe ka rënë në vesh të shurdhur, ndonëse një ditë më parë banorët e Zall Gjogaj kanë ngritur çadrat e ngujimit në majë të bjeshkëve që zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet shtetëror dhe kryesisht, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Përtej dallimeve politike ajo që vlen më shumë është jeta e këtyre banorëve që lidhet me ujin dhe protestojnë me të drejtë për anulimin e lejes së ndërtimit të HEC-it në këtë zonë. Kjo zonë është shpallur Park dhe nuk mund të ndërtohet një HEC. Parku Kombëtar Zall Gjoçaj ka një sipërfaqe prej 140 ha, është shpallur me V.K.M nr.102 datë,15.01.1996 dhe mbrohet me ligj-Kategoria (II), park i cili i është bashkua Parkut Kombëtar të Lurës.
Duke ndërtuar një HEC në Zall Gjoçaj bëjmë atë që pasurojmë një njeri të vetëm dhe u marrim jetën dhjetëra banorëve të kësaj zonë, prekim Parkun Kombëtar të mbrojtur me ligj dhe mbi të gjitha dëmtojmë një nga bukuritë e virgjëra të kësaj zone. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të dëgjojë zërin e banorëve, ata janë në të drejtën e tyre të ligjshme, janë në betejën për jetën që e kanë të lidhur me burimet e tyre natyrore.