Një nga autorët e dyshuar të ngjarjes së 9 janarit në zonën e Astirit është vënë në pranga, ku 21-vjeçarja pretendoi se u mbajt peng, duke çuar në një operacion të Forcave RENEA për shpëtimin e saj. Sipas policisë, në pranga është vënë shtetasi me iniciale E. B., 36 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal.
“Si rezultat i hetimeve intensive, bazuar dhe në informacionet e marra falë inteligjencës policore, nga Strukturat e DVP Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E.B, 36 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë të shpallur në kërkim, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S.Q, në një apartament në Astir. Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë”, njofton policia.
Sipas dëshmisë së vajzës para hetuesve, rezulton se e reja nuk është dhunuar dhe ka shkuar vetë me dëshirë në banesën me qira ditore, ndryshe nga versioni i parë që dha kur telefonoi sallën operative.
