Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar kallëzimin penal në ngarkim të kryetares së Bashkisë Voltana Ademi, si dhe shtetasit Zef Hila. Për të dy këta persona është ngritur akuza e pengimit të procesit zgjedhor dhe kundërshtim i forcave të Policisë.
Gjithashtu prokuroria është nisur procedim penal ndaj një shtetas pas kallëzimit të Edmond Pirolit, kandidat për kryetar i Bashkisë Kurbin për subjektin politik “Bindja Demokratike” për falsifikim dokumentesh. Konkretisht, sipas kallëzuesit, në dy qendrat e votimit, në ambientin privat “Lokal i shtetasit Vasil Ulaj”, në Fushë-Kuqe, pretendohet të kenë votuar 6 shtetas, ndërkohë që në kutitë e votimit janë futur dhe gjenden rreth 60 fletë votimi nënjërën kuti dhe rreth 120 fletë votimi në kutinë tjetër.
Ndërsa prokuroria e Fierit ka regjistruar materialin kallëzues nr.1131, datë 01.07.2019, aktet e të cilit bëjnë fjalë për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore’’, parashikuar nga neni 325 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Alfred Davidhi e Klevi Berzhezha. Në materialin e referuar nga policia gjyqësore e Komisariatit të Policisë Fier, pretendohet se këta shtetas i bënin presion zgjedhësve në fshatin Topojë, Fier. Materiali është në fazë verifikimi.
Prokuroria e Përgjithshme informon se, përveç informacioneve të mësipërme, prokuroritë e rretheve të tjera gjyqësore kanë informuar se, deri në këtë moment, asnjë nga subjektet politike nuk ka bërë kallëzim/denoncim penal lidhur me procesin e zgjedhjeve vendore datë 30 qershor 2019, dhe se nuk janë filluar hetime kryesisht për materialet video të publikuara në media.