Në vijim të procesit të llogaritjes së përfitimeve suplementare për punonjësit që kanë punuar në miniera në nëntokë, punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit, si dhe punonjësit e metalurgjisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka zbardhur gjatë ditës së djeshme listën e 1260 personave që përfitojnë pension për shkak të profesionit (llojit të punës), si dhe shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe atw tw invaliditetit.
Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar listën e përfituesve të rinj, të cilët duhet të paraqiten pranë pikave të autorizuara për tërheqjen e pensioneve dhe shtesave që u takojnë.
Ekspertët e sigurimeve shoqërore theksojnë se janë ende me mijëra kërkesa të tjera në proces vlerësimi, përfituesit e të cilave do të vijojnë të shpallen gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë që shumë të tjerë vijojnë të paraqiten pranë agjencive lokale të sigurimeve për plotësimin e kërkesës dhe dorëzimin e dosjes së dokumenteve të përcaktuara për të siguruar këto përfitime suplementare.
“Përfitimi, sipas përcaktimeve në ligjin Nr. 29/2019, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij, ose pranë sporteleve të shërbimit në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rregulloreve të ISSH-së”, konfirmojnë autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Pension për shkak të profesionit kanë të drejtë që ta përfitojnë ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë; trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij. Të drejtën e marrjes së këtij lloj përfitimi e gëzojnë edhe të githë ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”.
Po ashtu kanë të drejtë që të marrin pension për shkak të profesionit edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 2, “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kategoria tjetër që trajtohet me pensione të kësaj kategorie janë edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr. 1, të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.
Ndërsa shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe mbi pensionin e invaliditetit,mund të përfitojnë:a) ish-punonjësit, sipas përcaktimeve në ligjin për trajtimet suplementare, të cilët kanë përfituar pension pleqërie ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Shtesën mbi pension e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj; Gjithashtu shtesën mbi pension e përfitojnë edhe personat që marrin pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, kur data e lindjes së të drejtës për pension është deri më 31.12.2014.