Aleksis Tsipras është kryeministri i parë grek që viziton Maqedoninë e Veriut, dhe në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun maqedonas, Zoran Zaev e quajti historike marrëveshjen e Prespës.
Ndërsa Zaev nga ana e tij e quajti vizitë historike dhe një shenjë të qartë për kontributin për një Ballkan të ri.
“Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, po nënshkruajmë histori. Greqia ishte e para që nënshkroi protokollin. Gjatë këtyre ditëve Tsipras ka bërë apel për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Sot republika jonë është nikoqire e kryeministrit të Greqisë, Aleksis Tsipras. Kur të ktheheni pas do të shihni kohë të humbura, kur të shihni para do të shihni dy vende mike, të cilat me vendime të guximshme shkojnë para drejt ardhmërisë. Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i saj janë garanci për të ardhmen e dy vendeve. Kjo vizitë historike është një shenjë e qartë për kontributin për një Ballkan të ri”, tha Zaev. Ai bëri të ditur se është nënshkruar marrëveshje për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar i cili sipas tij do të kontribuoj edhe më shumë për afrimin e qytetarëve të të dyja vendeve.
“Këto po mundohemi të thellojmë bashkëpunimin dhe të lëmë mënjanë urrejtjet. Kjo nuk do të jetë sukses vetëm për Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë sukses për gjithë rajonin. Vizita ime është vizita e parë e një kryeministri grek. Kemi humbur shumë kohë, prandaj duhet ta kompensojmë”, tha Tsipras duke shtuar se Greqia ishte vendi i parë që nënshkroi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Tsipras gjithashtu nënvizoi edhe rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, që iu përgjigj zgjidhjes së më shumë çështjeve që dy vendet i kanë shmangur për dekada me radhë, përfshi edhe fushën ekonomike. “Greqia do të bëj përpjekje që të ndihmojë Maqedoninë në rrugën e saj për integrim në Bashkimin Evropian”, tha Tsipras.