Nga Hasan PASHA
Prej ditës së themelimit të LSI-së më është dashur të përballem keq me këtë subjekt politik, kuptohet në nivel vendor, në trevën e Matit.
Për shkak të punës time si gazetar i “Zëri i Popullit”, kritikave të vazhdueshme ndaj atyre që deshën ta “përlajnë” gjithë degën lokale të PS Mat drejt LSI-së jam akuzuar e përbaltur nga vartësit e Ilir Metës.
Akuza ishte bajate, por më rëndonte shumë në publik. Pranoja shumëçka, por jo deklaratat e drejtuesve të LSI-së Mat kur shpreheshin: “Pse e lexoni “Zërin e Popullit”. Gazetarët e saj kanë qenë të gjithë spiunë të Sigurimit të Shtetit”.
Në lojë kishin hyrë dhe ish drejtues të SHIK-ut Burrel, ekstremistë të njohur të PD-së. “E kemi parë në dosjen e gazetarit Hasan Pasha, ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit. Ai nuk ka moral të shkruajë. Ka spiunuar shokët, miqtë, kolegët”.
Durova deri në Janar 2018 akuzat e LSI-së Mat dhe vendosa t’i drejtohem Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me një kërkesë për hapjen e dosjes time, për të ditur nëse “dikush” kishte sajuar ndonjë dosje në emrin tim për ta bërë publike atë.
Së pari, për të qenë i qetë me veten time, pra për t’u bindur që jo vetëm nuk kam bashkëpunuar me këtë strukturë famëkeqe, por edhe për t’u qetësuar se nuk është sajuar asgjë ndaj meje.
Së dyti, desha t’u them “langove” të LSI-së se unë gjithçka kam botuar për ata, janë të vërteta dhe se ata më kanë sulmuar vetëm se kam qëndruar përballë tyre me dinjitet, i palëkundur. Kam qenë dhe jam në mbështetje të qytetarëve të ndershëm.
Ja pra ku jemi. Unë e kam hapur dosjen time vetëm se subjekti i familjes Meta më akuzonte si spiun. Në këto rrethana kam plotësisht të drejtë t’i drejtohem Ilir Metës: Hapeni dhe Ju dosjen, që të jeni i qetë për vete dhe të sqaroni dhe shqiptarët, keni qenë apo jo spiun i sigurimit të shtetit?