Çështja e Gërdecit është tema më e “nxehtë” e ditëve të fundit. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kopsitur dosjen, por një detaj duket se nuk po e merr vëmendjen e duhur.
Brenda tij ishte përmbajtja e letrës miratuese nga Ministria e Drejtësisë për kontratën që do të lidhej në Gërdec, një kopje e së cilës pretendohet se do i dërgohej nga zyra e Aldo Bumçit privatisht Shkëlzen Berishës.
Si Bumçi dhe Berisha kanë folur publikisht lidhur me fax-in dhe kanë zgjedhur gjuhën e mohimit. Ish-ministri i Drejtësisë pasi dilte nga SPAK pretendonte se kjo shkresë është e falsifikuar duke ngritur dyshime tek opozita e asaj kohe.
“Nëse unë kisha nevojë që nuk kishte as takim e as kërkesë, nga Shkëlzen Berisha, ju mendoni se do e bëja me fax në ministrinë e Mbrojtjes për Shkëlzen Berishës? Ministria i kishte shkresat dhe e dyta që unë nuk kam nevojë që të komunikoj me zotin Berisha për t’i thënë që nuk kisha vërejtje, shënimi në cep të letrës. Kërkova që ky dokument të shpallej i pavlefshëm. Opozita aso kohe, kishte një çështje që të lidhte Berishën me këtë çështje, dhe u falsifikua kjo shkresë.”
Në të njëjtën linjë ishte dhe Shkëlzen Berisha.
“Mendoj që prokuroria duhet të thotë e kujt është kaligrafia nëse nuk është falsifikim sepse në origjinalin e faxit nuk ekziston”.
Të dy kërkojnë një kaligrafist
Për këtë detaj, botuesi Mero Baze ka bërë një sqarim sot. Në shkrimin e tij, Baze sqaron se kaligrafia në fakt nuk duhet bërë për shkrimin e ish-ministrit të Drejtësisë, por me atë të Drejtorit të Kodifikimit të po këtij dikasteri.
“Del Aldo Bumçi dhe thotë ai shënimi “Për Shkëlzenin” nuk është imi dhe është falsifikim. Në fakt nuk ka thënë njeri që është shënim i Aldos, por është nisur nga faksi i Aldos dhe kjo është provë shkencore. As Aldon e shkretë se llogariste njeri për ministër. Falë atij faksi u kthye ministër dhe është sot tek Foltorja. Pastaj del Shkëlzeni dhe thotë ai faksi nuk është shkrim i Aldos, d.m.th është falsifikuar shkrimi. Po shumë mirë atëherë, të paditet shkresa si e falsifikuar dhe të shikojmë kush e ka shkruar, meqë nuk ja përmendin dot emrin atij që e ka bërë shënimin dhe që falë atij shënimi më pas u bë deputet dhe kur menduan se mbaruan punë me Gërdecin, e hodhën në rrugë. Krahasojeni njëherë me shkrimin e drejtorit të Kodifikimit të asaj kohe në Ministri të Drejtësisë.”
Por kush është ky personazh, që e kanë lënë në hije dritat që vezullojnë më shumë mbi “kokat e mëdha” të kësaj çështjeje?
Bëhet fjalë për Viktor Gumin, asokohe Drejtor i Kodifikimit.
Nëse dikush do të kërkonte hetimin në themel të lidhjeve dhe rolit të Shkëlzen Berishës, emri i Gumit do të duhet të ishte i pari në listën e personave të pyetur.
Nga viti 2009 deri në vitin 2013, Viktor Gumi ka qenë deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërsa aktualisht angazhohet si avokat, emri i tij u përmend sërish në vitin 2018, pasi u përfol si një nga ekspertët e mundshëm të Reformës Zgjedhore.
Viktor Gumi ka qenë mes anëtarëve të PD-së në Komisionin e Ligjeve të ‘ndëshkuar’ nga Sali Berisha për një nen të ligjit të përgjimeve.
Ata e rrëzuan këtë nen, pasi shumëfishohej me 29 herë mundësia e përgjimeve të qytetarëve.
Gumi asokohe sqaroi se pas këtij veprimi të tyre, Berisha i përjashtoi nga kandidimi për zgjedhjet e 23 qershorit të 2013 të gjithë deputetët demokratë të Komisionit të Ligjeve.
Gjithashtu, emri i tij është përmendur edhe në librin e kryeministrit Edi Rama “Kurban”, ku cilësohej si një nga juristët më të mirë që ka Shqipëria. Prej vitit 2014, Viktor Gumi është angazhuar si partneri menaxhues i studios ligjore “GUMI & Associates”./Zëri