Intervistoi Manjola Dervishi
Rasti i 13- vjeçare nga Kavaja shokoi rëndë shoqërinë shqiptare duke nxjerrë në pah edhe shumë probleme të saj. Në një intervistë për Tirananës, psikologu i njohur Gëzim Tushe e cilëson këtë ngjarje si një tronditje të fortë për sistemin seksual të shoqërisë shqiptare.
Sa i përket adoleshentëve që kryen këtë krim ai shprehet: “Edhe pse këta janë minoren kanë bërë një organizim perfekt për të realizuar qëllimet e tyre të mbrapshta, pastaj unë mendoj që në të gjitha rastet mosha nuk është argument që mund të justifikojë gjithçka”. Ndërsa vajza sipas sociologut Tushe është një viktimë me të cilën duhet punuar për rehabilitimin.
Profesor çfarë mendimi keni për ngjarjen e rëndë që ndodhi pak ditë më parë në Kavajë?
Pa dyshim ngjarja që ka ndodhur në Kavajë dhe abuzimi seksual me minoren 13 -vjeçare është një ngjarje shumë e rrallë, e pa precedent dhe në një farë mënyre nga përmasat e saj mund të quhet një ngjarje e përbindshme. Është një akt shumë i rëndë, shumë i turpshëm, kriminal, i cili nuk ka asnjë justifikim dhe nuk ka asnjë mënyrë se si mund të trajtohet ndryshe.
Analiza e kësaj ngjarjeje është komplekse, së pari do të thotë që duhet të analizojmë se përse ka ndodhur, më shumë se si ka ndodhur dhe pastaj së dyti, se cilat janë pasojat e kësaj ngjarjeje.
Natyrisht kohët e fundit në shoqërinë shqiptare janë shtuar këto abuzime seksuale, jo vetëm me të rriturit, por edhe me të miturit, qoftë në format e pedofilisë apo të incestit (lidhje seksuale brenda gjinisë), të cilat janë në një farë mënyrë një turp social për shoqërinë shqiptare, e cila në vend që të bëj vajtime private duhet të bëj reagim qytetar në mënyrë që të ndryshojmë këto zakone, tipologji të turpshme të mentalitetit tonë.
Ngjarja e Kavajës ishte një tronditje e fortë për sistemin seksual të shoqërisë shqiptare. Kjo shoqëri ashtu siç ka qenë edhe në të kaluarën edhe sot ka pasur një lloj morali të saj që mund të ketë qenë patriarkal dhe ca i kufizuar, mund të ketë shkelur ndoshta edhe nga pak të drejtat dhe liritë e individit, por sidoqoftë ka qenë qe një koracë e fortë që e ka mbrojtur privatësinë, intimitetin e seksualitetit të individit dhe në mënyrë të veçantë të fëmijëve që në përgjithësi kanë qenë të paprekshëm nga këto rreziqe të kohës post moderne.
Për fat të keq ardhja e lirisë dhe e demokracisë në Shqipëri është keqkuptuar nga shumë njerëz, sidomos nga këta manjakët seksual, nga këta pervers që janë edhe në familjet shqiptare, të cilët kanë filluar të prishin balancat midis arsyes së ftohtë, logjikës dhe instiktive seksuale.
Nëse ke njeriu dhe ke adoleshentët fillon të dominojnë kërkesat e mishit, kërkesat instiktive në dëm të arsyes, doemos veprimet do të jenë të palogjikshëm dhe kriminal.
Duke qenë se fëmijët që janë akuzuar për këtë ngjarje janë adoleshentë, sa të përgjegjshëm kanë qenë ata për atë çfarë po bënin?
Sigurisht në atë moshë ata nuk mund të kenë pjekurinë e duhur për të gjykuar për aktin që kanë kryer, por megjithatë akti është kryer dhe në një farë mënyre akti është shumë i rëndë.
Ka filluar si një lidhje (për qa sa dimë) dashurore, por pastaj ka marrë formën e një prostitucioni, duke dashur që ta përdorin vajzën si një send seksual për të siguruar ato favore duke i bërë presion të miturës për të qenë e shpërdoruar seksualisht nga të tjerët. Kështu që unë nuk e di, çështja penale është tjetër gjë, ka organe që e gjykojnë shkallën e përgjegjësisë në raport me moshën edhe me masën e krimit të kryer dhe kjo është një gjë që nuk e gjykojmë dot ne, por ajo që ne gjykojmë është se tipologjia e rastit është shumë e veçantë dhe shumë i frikshëm. Edhe pse këta janë minorenë kanë bërë një organizim perfekt për të realizuar qëllimet e tyre të mbrapshta, pastaj unë mendoj që në të gjitha rastet mosha nuk është argument që mund të justifikojë gjithçka.
Tani ngjarja ndodhi, si duhet të sillet me vajzën familja dhe shoqëria? Duke theksuar që tashmë shoqëria është ndarë në dy pjesë ata që gjykojnë familjen dhe vajzën dhe ata që mendojnë se ajo është thjeshtë një viktimë.
Ne gjithmonë kemi si tendencë shoqërore që të keqen që na ndodh në vend që ta korrigjojmë e banalizojmë dhe mua me duket që pas ngjarjes ka plasur një lloj banaliteti në analizën e kësaj ngjarjeje.
Ne e kemi për zakon edhe kur përpiqemi të gjejmë ilaçin e një sëmundjeje, ai ilaçi që gjejmë ne është gjithmonë më i keq se sëmundja që na ka prekur. Kështu është edhe rasti i alarmimit të tepërt alogjik, përpjeka për të hyrë në detaje se si është bërë, në ç’mënyre, në çfarë rrethana, kërkesa dhe kuriozitete banale që nuk kanë asnjë vlerë.
Patoj nuk jam hiç dakot me ata që përpiqen të fajësojnë vajzën, ajo në mënyrë absolutë është viktimë që duhet mbrojtur, nga familja në radhë të parë, shoqëria nga grupet disiplinare, psikoterapeutët psikologët, mjekët sepse trauma që ka pësuar vajza, për analogji, jam i bindur se është shumë e madhe dhe presioni është i jashtëzakonshëm qoftë për rrethanat komunitare dhe familjare, të cilat shkarkohen në mënyrë të padrejtë mbi shpatullat e brishta të kësaj vajze të përdhunuar.
Ajo për të cilën duhet të mendojmë është se çfarë duhet të bëjmë për të rikuperuar vajzën, personalitetin e saj dhe vlerat sociale të saj. Në mënyrë që abuzimi që është bërë të mos jetë shkak që ajo të fundoset, por përkundrazi me mbështetjen e familjes dhe të gjithë aktorëve të ringrejë kuotat e saj dhe të rimarrë veten, duke e konsideruar atë që i ndodhi si një gjë të kaluar, të hidhur natyrisht, por shikimi optimist është i domosdoshëm.
Profesor, pse u shkua deri këtu, ku duhet gjetur përgjegjësia tek edukimi në familje apo tek shoqëria.
Padyshim që edukimi në familje është vendimtar në krijimin e një kulturë humane, tek fëmijët tanë që risim në mënyrë që ata të mos udhëhiqen nga instiketet e mishit dhe verbërisht t’i binden kërkesave instiktive të suksalitetit të tyre. Për një gamë të gjerë marrëdhëniesh, me femrat dhe në lidhjet e moshës së tyre është çështje e dorës së parë, ju garantoj që asnjë institucion nuk është më i mirë për të siguruar sigurinë morale të fëmijës se sa familja. Braktisja e kësaj pune apo lënia në dorë të intuitës, apo nëpërmjet njohjeve që atyre ju krijohen nëpërmjet instiktive dhe jo nëpërmjet njohurive që duhet të kenë është një problem shumë i madh.
Së dyti edhe në rast kur edukimi është i shëndetshëm kini parasysh që janë edhe rrethanat e jashtme që ndikojnë në deformimin e asaj . Sepse në një shoqëri me seksualitet të liberalizuar me mjetet e sotme që shfaqin filma pornografikë, që ka presion shumë të madh të seksualitetit, fëmijët tanë janë nën këtë presion edhe natyrisht nën këtë presion të vlerave të seksualitetit dhe të marrëdhënieve seksuale si kënaqësi e madhe në thonjëza, bëjnë që fëmijët të humbasin orientimin e shëndetshëm të jetës së tyre dhe në vend që të merren me nevojat e tyre moshore apo nevojat që kanë për formimin e personalitetit të tyre kulturor dhe social bien në grackën e instiktive të seksit. Dhe kjo bën pastaj që të bëjnë veprime anormale dhe pse jo edhe kriminale./Tirananews.al/