Nuk ka falje dhe as ulje dënimi për ish-sulmuesin brazilian Robinjo. Gjykata e Apelit e Milanos, sot ka mbajtur në fuqi dënimin me 9 vite burg për ish-futbollistin e Milanit e Realit, i cili disa vite më parë u akuzua e më pas u dënua pasi kishte përdhunuar bashkë me një grup shokësh një shtetase shqiptare.
Gjykata sot ka mbajtur në fuqi vendimin duke e cilësuar mëse të arsyeshëm pasi Robinjo kishte treguar “përbuzje ndaj viktimës e cila ishte turpëruar brutalisht”. Një akuzë shumë e rëndë për futbollistin, pasi hetuesit kishin provuar se si sulmuesi dhe miqtë e tij, i kishin dhënë për të pirë vajzës derisa ajo kishte mbetur pa ndjenja e më pas e kishin përdhunuar në gardërobën e lokalit ku ajo po festonte datëlindjen.
Sipas hetimeve për ngjarjen që ka ndodhur në vitin 2013, që në fillim Robinjo dhe grupi i shokëve të tij ishte munduar që të shmangnin hetimet, duke përgatitur një histori të rremë e duke ia servirur thuajse të gjithë njëlloj hetuesve. Ndërkohë, që edhe pse kishte pasur mundësi të jashtëzakonshme ekonomike, të cilat sipas mbrojtjes kishin qenë objekti i akuzës pasi viktima kishte dashur të përfitonte nga ai, sulmuesi nuk ka bërë asnjë lloj oferte për dëmshpërblim për të mbyllur çështjen. Kështu, vendimi me burgim mbetet në fuqi e përveç kësaj, ai dhe miku i tij Rikardo Falko, i dënuar gjithashtu me 9 vite burg, do të paguajnë edhe një dëmshpërblim prej 60 mijë eurosh ndaj viktimës.