Fondi i veçantë i institucioneve që përdoret për shpërblime, ndihma në fatkeqësi, punë të mirë apo festa është rrudhur ndjeshëm nga qeveria Rama.
Prej vitesh ky fond rregullohet me udhëzim të posaçëm të ministrit të Financave, bazuar në një vendim të qeverisë së 2010, të ndryshuar herë pas here. Çdo vit ministri cakton një shifër-tavan maksimale, të cilën mund ta administrojë titullari i institucionit për qëllime të caktuara, por që nuk ka lidhje me pagat.
Në rastin kur fondi i veçantë përdoret për shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë apo në fund të vitit kalendarik, lejohet të jepet i diferencuar nga drejtuesi i njësisë së qeverisjes së përgjithshme, por jo më shumë se një pagë mujore në vit. Përjashtimisht, për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, masa e shpërblimit mund të jetë deri në dy paga mujore në vit.
Gjithashtu fondi mund të përdoret në ndihma të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe raste të tjera, të cilat përballohen nga fondi faktik i veçantë, përfshihen pagesat për rastet e vdekjes së punonjësit të institucionit.
Pagesa i jepet familjes së punonjësit nga titullari i institucionit në masën e një page mujore, por jo më pak se 50.000 lekë; vdekjes së një anëtari të familjes së punonjësit (bashkëshorti/ja, prindërit apo fëmijët). Pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 30.000 lekë, për çdo rast; sëmundjeve të rënda të punonjësit, kur kërkohet një ndërhyrje kirurgjikale apo një trajtim mjekësor i gjatë. Pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 50.000 lekë. Po kështu edhe për çdo rast daljes së punonjësve në pension pleqërie. Pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në masën e një page mujore.
Ndërsa në veprimtari me karakter social apo kulturor, që përballohen nga fondi i veçantë, përfshihen ato veprimtari të cilat organizohen vetëm për punonjësit e institucionit, sikurse janë ato të organizuara për rastet e daljeve në pension, të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni. Në çdo rast, masa e shpenzimit, që mbulohet nga fondi i veçantë për këto veprimtari, nuk duhet të kalojë vlerën e 2.500 lekëve për punonjës. Kur veprimtaritë social-kulturore organizohen jashtë qendrës së punës, shpenzimet e transportit dhe të akomodimit paguhen nga vetë punonjësit.
Këto kritere lidhur me përdorimin e fondit të veçantë janë të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 929, datë 17.11.2010 “Për krijimin dhe përdorimin e Fondit të veçantë”, i ndryshuar. Sipas VKM-së së sipërpërmendur, fondi i veçantë në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet në masën 5% të fondit të pagave.
Në rast se do të respektohej 5-përqindëshi i fondit të pagave për këtë fond shpërblimesh, totali do të dilte shumë më i lartë se kaq: në vitin 2018, fondi total i pagave të buxhetorëve ishte 64.8 miliardë lekë afërsisht, një shifër që rritet madje në afro 65.7 miliardë lekë këtë vit. Normalisht, duhej të ishin diku te 3 miliardët fondet e posaçme të institucioneve, por kjo nuk është zbatuar as me 500 milionët e vitit të kaluar dhe aq mq pak me 200 milionët e këtij viti.
Ajo që të bën një tjetër përshtypje është edhe fakti se kemi të bëjmë dukshëm me tendencën e shkurtimeve: në listën e vitit 2019, shumat janë të rrumbullakosura, ndërkohë që në listën e vitit të kaluar shifrat-tavan janë më të hollësishme, deri në një lek, duke treguar se më përpara është përdorur kriteri i përqindjes ndaj fondit të pagave, që nuk mund të dalë asnjëherë me shifër të plotë.