Walter Ricciardi, përfaqësuesi italian në Organizatën Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar një valë të dytë koronavirusi në vjeshtë.
Sipas Ricciardit, vala e dytë në fillim të vjeshtës është një siguri sësa një hipotezë, duke shtuar se do të duhet të “bashkëjetojmë” me koronavirusin deri në gjetjen e vaksinës.
“Një valë e dytë e epidemisë së koronavirusit në vjeshtë, më shumë sesa një hipotezë, është një siguri. Derisa të kemi një vaksinë do të ketë valë të reja. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme të mos shpejtoni rihapjen: përndryshe vala e dytë, rrezikon që të vijë para vjeshtës,“-tha ai.
Shkaktarë të valëve të reja, sipas tij janë liderët e disa vendeve të cilët nuk i kanë dëgjuar këshillat e shkencëtarëve dhe kanë reaguar në mënyrë ekstremisht të vonë.
“Zgjedhjet e rrezikshme të disa liderve politikë botëror do të ndikojnë mbi popujt e tyre. Nëse ka pasur shumë viktima krahasuar me të tjerët është sepse vendimet janë marrë ose vonë ose në mënyrë të gabuar. Shembulli më i mirë është ai i Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, ku qeveritë nuk kanë dëgjuar këshilltarët shkencorë dhe kanë reaguar jashtëzakonisht vonë. Ndryshe ka ndodhur në Korenë e Jugut, Finlandë dhe Gjermani, ku gjërat mes institucioneve po funksionojnë mirë,”-shtoi ai.
Në rang global deri më tani rezultojnë të infektuar mbi 2 milionë persona dhe kanë humbur jetënmbi 148 mijë të tjerë. Ndërsa, 558,688 qytetarë e kanë fituar betejën me COVID-19. Vendet më të prekura janë SHBA, Italia, Franca, Spanja. Virusi po bën ‘kërdinë’ edhe në Europë. 22,754 qytetarët kanë humbur jetën në Itali dhe në Spanjë janë shënuar 19,900 viktima. COVID-19 është përhapur shumë edhe në Ballkan. Çdo ditë rritet numri i të prekurve në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Greqi. Në Shqipëri janë infektuar 539 persona dhe kanë vdekur 26 pacientë.