Ekipi kombëtar i boksit po merr pjesë në Kampionatin Ballkanik të Boksit që po zhvillohet në Kroaci. Është një grup djemsh të talentuar që dëshirojnë të arrijnë nivele të larta në këtë sport dhe me shumë medalje për Shqipërinë dhe provat i kanë dhënë në vazhdimësi. Sportistët tanë bënë një paraqitje të mirë në dy ditët e para të aktivitetit në fjalë, ku kanë siguruar deri dje pasdite plot 4 finale e pritet një tjetër ta sigurojnë ditën e sotme me Rexhildo Zenelin.
Pra boksi shqiptar ka kualitet dhe po e konfirmon edhe ky kampionat ballkanik. Pas kontakteve që patëm me trajnerin Zef Gjoni dhe anëtarë të ekipit, mësojmë se dje kishin garat e tyre katër boksierë të skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë. Kështu, Krenar Zeneli që garoi në peshën 60 kg, mposhti sllovenin Cernoga Tadej dhe arriti në finale. Denis Nurja, një tjetër boksier cilësor i ekipit tonë, garoi në peshën 69 kg dhe fitoi (me ndërprerje) me sportistin serb Xheljan Toskiç dhe u kualifikua po ashtu në finale. Alban Beqiri, tjetër boksier cilësor i Shqipërisë, garoi në peshën trupore 75 kg dhe fitoi ndaj sllovenit Edin Sejdinoviç e për pasojë arriti në finale. I fundit nga ekipi ynë që arriti dje finalen e madhe në peshën 91 kg, ishte boksieri Indrit Laçi, që mposhti sllovenin Aljaz Ban.
Katër finalistë janë siguruar, por referuar fjalëve të trajnerit Zef Gjoni, shanse për finalen ka, siç thamë, edhe Rexhildo Zeneli që do të garojë sot në peshën 64 kg, përballë boksierit nga Maqedonia e Veriut, Asim Lamaj (edhe ky shqiptar, por përfaqëson Maqedoninë). Nëse gara e Rexhildo Zenelit shkon sipas parashikimeve, atëherë Shqipëria do të ketë 5 finalistë të kampionatit Ballkanik, më e pakta 5 medalje argjendi të garantuara. Por sipas fjalëve të trajnerit Gjoni, ekipi synon minimalisht dy medalje ari. “Ekipi është paraqitur mirë, boksierët kanë bërë një performancë fantastike, një prej aktiviteteve më të mira ku jemi përfaqësuar, duke na konfirmuar si skuadër pretendente në rang ballkanik. Pas një periudhe të gjatë e të vështirë prej pandemisë, ky është një lajm i madh për boksin, i cili, e përsëris vazhdimisht, ka talente, ka kualitete të mëdhenj, por ka nevojë për investime dhe shpërblime”, theksoi Gjoni.