Rehabilitimi i Unazës së Poshtme të Burrelit ka përfunduar plotësisht, pas disa muajsh punimesh. Kompania zbatuese ka kryer punimet finale, duke përfshirë asfaltimin, ndërtimin e trotuareve, instalimin e ndriçimit dhe vendosjen e sinjalistikës vertikale e horizontale.
Aktualisht segmenti është i gatshëm, por nuk është hapur ende zyrtarisht për qarkullimin e automjeteve, përveç mjeteve të banorëve që jetojnë përgjatë tij. Burime pranë projektit bëjnë të ditur se rruga do të hapet shumë shpejt.
Me vënien në funksion të unazës, automjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë mineralin e kromit nuk do të kalojnë më nëpër qytet, por do të devijohen drejt këtij segmenti. Kjo pritet të lehtësojë trafikun urban dhe të zgjidhë një problematikë të kahershme për banorët e Burrelit.
