Dosja e përgjimeve të Anti-mafias italiane për klanin Ndragheta përmban faqe të tëra me biseda ku flitet për Shqipërinë dhe ndikimin e eurodeputetit Lorenzo Cesa në vendin tonë. Teksa flasin për korrupsionin dhe nevojën për të patur kontaktet e duhura, Ndragheta në përgjime pretendon se ka korruptuar kreun e Policisë së Tiranës në vitin 2017, që përkon asokohe me emrin e drejtorit të sotëm Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliun. Një bisedë e datës 9 gusht 2017, zhvillohet mes Tommaso Brutos, të birit, Saverio dhe Ercole D’Alessandro, ku ata thonë se kanë korruptuar me ushqime, djathë e mish derri, numrin 1 të policisë në Tiranë për t’i lejuar të punonin të qetë.
Sekseri Ercole D’Alessandro, ish-oficer i Guardia di Finanza thotë se bashkë me shefin e policisë janë korruptuar edhe një zyrtar i ministrisë dhe një zv/ministër.
“ai kishte folur me Shefin e Policisë së Tiranës dhe një tjetër zyrtar të lartë në në ministri dhe një zëvendësministër, të cilëve u kishte dërguar ushqime falë sipërmarrësit të qumështit Dedoni, i cili kishte dërguar të gjithë atë furnizim gastronomik me korrier“,-thuhet në dosjen e antimafias.
Bisedat vijojnë me përmendjen nga ish-oficeri të ushqimeve dhe mishit të derrit të zi.
Përgjimet e anti-mafias italiane:

Këto janë disa nga bisedat e reja të zbardhura në dosjen voluminoze me 1600 faqe të anti-mafias italiane për ndikimin dhe zgjerimin e Ndragheta-s në Shqipëri. Përgjimi në fjalë është kryer më 9 gusht 2017, kohë kur Veliu drejtonte policinë e Tiranës. Në një kërkim elementar në CV-në e vetë Veliut, del se ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nga data 28 Prill e vitit 2017 deri në 5 Shkurt të vitit 2018.

Megaoperacioni i drejtuar nga prokurori Nicola Gratteri zbuloi lidhjen e klanit mafioz “Ndrangheta” me zyrtarë në Shqipëri e politikanë. Sipas bisedave të publikuara, mafia italiane ka dërguar biznesmenin Antonio Gallo në vendin tonë që të futet në tendera e të ngrejë biznese përmes të cilave të pastrohen paratë e tyre. Ky korrupsion ka kapur vlerën e mbi 250 milion eurove. Deri më tani janë përmendur, biznesmeni Besnik Halili me pseudonimin Nik, Presidenca, këshilltari i presidentit Ilir Meta, Ilir Kulla Kryeministria e Bashkia e Tiranës, por këta të fundit pa emra konkretë.