Zv. ministrja e Turizmit Vilma Bello ishte e ftuar në “Now me Erla Mëhillin” ku foli për fluksin e turistëve me të cilin u përball këtë verë Shqipëria. Ajo tregoi se çuditë më të mëdha ishin me dyndjen e kinezëve dhe spanjollëve.
“Gati 40% e vizitorëve gjatë këtij viti kanë zgjedhur veriun dhe ka dhe një element tjetër shumë të rëndësishëm sepse është zgjeruar ndjeshëm gjeografia e atyre që vizitojnë Shqipërinë. Nëse më parë kemi pasur disa vende tradicionale që e frekuentonin, e vizitonin, ishin si treg i konsoliduar turistik, tashmë flasim për tregje të rinj, tregje të tjera dhe në shifra shumë më të rritura, për shembull turistët spanjollë që janë rritur nga viti i shkuar përgjatë këtij viti +128%, ka pasur turistë që vijnë nga Kina, që pas marrëveshjes që është bërë dhe liberalizimit të vizave ka qenë në shifra 5700 vizitorë, 152%, krahasuar me një vit më parë. Ka pasur shifra të rritura ndjeshëm nga Holanda, Gjermania,” – u shpreh Bello.