Sali Berisha do të nisë nga nesër një tur bashkëbisedimesh me anëtarësinë e PD për ti kthyer kësaj të fundit sovranitetin të cilin sipas tij e shkelmoi kryetari Basha me vendimin për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD.
Hoxha: Nuk vë në dyshim energjinë e Sali Berishës por bëhet fjalë si është gjendja në anëtarësinë e PD, janë në gjendje të shpërthejnë apo janë në gjendje oportunizmi. Do ta shohim.
Analisti Artan Hoxha i sheh zhvillimet e fundit brenda PD dramatike, të ndikuara nga vendimi i DASH për shpalljen non grata të ish-kryeministrit.
Hoxha: Zhvillimet në PD janë dramatike, shkaktuar nga një vendim i DASH për shpalljen non grata të Berishës. Amerikanët nuk u mjaftuan por kërkuan me insistim që një vendim me efekt në Amerikë ta transpozonin me efekt dhe në Shqipëri duke i kërkuar PD dhe kryetarit të saj Lulzim Basha një akt simbolik të përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar ndërsa nuk arrinin dot të shmangnin prezencën e Berishës si deputet në atë parlament. Ndodhi ajo që shumëkush nuk e priste, Lulzim Basha e mori atë vendim dhe e shpalli Berishën jo më anëtar të grupit parlamentar të PD. Kjo ka prodhuar gjithë këtë proces, të pritshëm si reagim i Sali Berishës. E njohim Sali Berishën, as nuk dorëzohet dhe as nuk tërhiqet nga betejat e tuij. Betejës së vet gjyqësore me Sekretarin e Shtetit në Francë i shtoi dhe betejën me PD për ti kthyer sovranitetin. Basha nuk ka marrë një vendim në bindjen e tij të brendshme për figurën e Berishës por vendim si levë transmesioni, në këtë rast i DASH.
I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, Hoxha thotë se në vijim brenda PD do të ketë lëvizje me Berishën dhe Bashën.
Hoxha: Berisha si lider historik ka mbështetje emocionale dhe morale. Basha po sillet si një person i kushtëzuar, individ i zënë ngushtë. Po tregon pasivitet në mbrojtjen e qëndrimit të vet. Do të shohim çdo ditë rryma të ndryshme brenda PD. Idenë e referendumit e ka dhënë Berisha i pari.Sali Berisha do të akumulojë gradualisht energji mbështetëse për ta çuar partinë drejt këtij diskutimi referendar.
Hoxha nënvizon se është moment i vështirë për kampin blu por krizat janë momente ku mund të gjenden zgjidhje të mëdha.
Hoxha: Uroj që demokratët ta çojnë procesin jo në përplasje të liderit historik me kryetarin. Këto procese forcojnë vetëm drejtuesin, jo partinë, në dy skenarët e mundshëm do të ishte me kosto për PD dhe demokracinë shqiptare sepse do kemi një opozitë të sfilitur të harxhuar në energji për luftrat e brendshme. Mund të ishte një paralele tjetër, që procesi të shndërrohej vetëvetiu në një proces shëndoshje duke reflektuar. A do të na kishte ndodhur një ngjarje e tillë nëse PD do të ishte partie e anëtarit, parti që mbledh forumet, ku forumet vendosin dhe vendimet e tyre nuk diskutohen, ku degët janë autonome, ku Këshilli Kombëtar nuk mblidhet vetëm për të brohoritur kryetarin por për të marrë vendime, ku kryesia nuk mblidhet vetëm sa herë që do kryetari për të bërë fresk dhe dalë prapa shpine kur bën Photoshop. Po të kishte qenë PD e këtillë do ti binte që çështja Berisha para se të merrte vendimin Basha do të dihej botërisht se do të merret vetëm nga një referendum i gjithë anëtarësisë siç zgjidhet kryetari me një anëtar një votë. Po të duhej dhe do të ishte mënyra e vetme e trajtimit të çështjes amerikane DASH do ta kishte mbyllur historinë aty, Sali Berisha nuk vjen në Amerikë por nuk do të merrte një ndërmarrje kaq të madhe. Derexheja ku ka përfunduar PD dhe jo vetëm, e bën që të jetë vunerabël sepse mjafton të thyesh liderin dhe ke thyer të gjithë partinë.
Një koment e ka edhe për presionin amerikan në vendimmarrjen e Bashës.
Hoxha: Anomali e madhe. Amerikanët kanë interesat e tyre, është punë për ta. Por të arrijnë deri aty sa ti kërkojnë një partie që të bëjë siç thonë ata për një çështje të pastër shtëpiake, nuk është më çështje e amerikanëve por derexheja ku ka përfunduar Shqipëria në 2021. Qëndrimi ndaj Berishës duhet të ishte vendas. Nëse ne nuk kemi shtet, institucione, parti që të marrin vendime sovrane ne nuk meritojmë të ekzistojmë, kjo më shqetëson dhe më bën të ndihem i trishtë nga gjithë kjo histori. Mendo një moment sikur Lulzim Basha të kërkonte referendum në parti.