Në një intervistë për emisionin “Kjo javë” në News 24, ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov ka folur rreth sulmeve ruse në Ukrainë dhe ngjarjeve të zhvilluara ditëve të fundit atje.
Shkurov u shpreh se ai dhe miq të tij nuk e besonin se një luftë e tillë mund të ndodhte, dhe ende e ka të vështirë ta besoj se në vitin 2022 një agresion i tillë do të mund të prekte Ukrainë.
Pjesë nga intervista:
Çfarë ju ka prekur më shumë emocionalisht në këto ditë të luftës?
Shkurov: Mund të them përsëri, se personalisht kam ngelur shumë i impresionuar nga reagimi i popullit shqiptar ndaj fatkeqësisë se popullit tonë. Është ajo ndjesia që do ta quaja si: jam shumë i impresionuar dhe i tronditur. Ka një përzierje emocionesh, me vëmendjen aty ku po ndodh gjithçka.
Kur keni qenë në Ukrainë?
Shkurov: Kam qenë në Ukrainë me 18 Dhjetor të vitit kaluar. Ka qenë një konferencë e zhvilluar nga Presidenti i Ukrainës me Ambasadorë të Ukrainës të shpërndarë në vende të ndryshme. Në atë kohë kishim informacione, për mundësinë e agresionit. Merrnim cdo ditë lajme të tilla për një mundësi të tillë. Ju them të drejtën, unë personalisht por si edhe shumica e miqve te mi, nuk besonin se kjo mund të ndodhte. Kishim shpresa të shumta se një gjë e tillë nuk do të arrinte. Unë edhe tani e kam të vështirë të besoj se kjo po ndodh. Më duket e pabesueshme. Dhe nuk po i jap dot shpjegim vetes, për të kuptuar se në vitin 2022 mund të ndodhi ajo, çfarë sot po përjeton populli ynë. Unë isha mes atyre njerëzve, qe nuk besonin se agresioni mund të ndodhte. Dhe niveli i zhgënjimit tim nuk ka kufi.
Ju vetë a e keni patur komunikim të drejtpërdrejtë me presidentin Zelensky kohët e fundit?
Shkurov: Jo, nuk kam patur një komunikim të drejtëpërdrejtë kohën e fundit me presidentin Zelenksi. Po i ndjek hap pas hapi informacionet nga kanalet ukrainase dhe kam prej tyre lajmet më të fundit. Por vazhdimisht jam në kontakt edhe me kolegët tanë në Ukrainë. Por me vetë presidentin, nuk kam patur kontakte kohet e fundit.
Kur e shihni ju z. ambasador një Ukrainë që do të marrë frymë lirisht!?
Shkurov: Kjo është pyetja më e vështirë për mua sot. Nuk mund të them dot kur mund të ndodhë kjo. Por do të dëshiroja qe kjo të arrihet sa më parë të jetë e mundur. Dhe dua të nënvizoj se Bashkimi Evropian ka ndarë një shumë të konsiderueshme për rindërtimin e Ukrainës dhe për ndihmë. Dhe nëse situata do të përmirësohet dhe lufta do të ndalojë sigurisht ne do të mundemi të rinovojmë infrastrukturën, por nuk do të mundemi t’i rikthejmë njerëzit që kanë humbur jetën. Dhe kjo është shumë e dhimbshme. Ka shumë jetë të humbura dhe ajo që shpresojmë është që kjo situatë të marrë fund sa më parë.