Vajza që përloti Kuvendin me historinë e saj, Rigerta Loku ka njoftuar se do të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit.
Ajo nuk e ka bërë të ditur akoma nëse do të përfshihet në ndonjë parti politike, apo do të kandidojë si e pavarur.
“Pas shumë ftesash e kërkesash të njerëzve të mirë, dua të ndaj me ju vendimin për tu angazhuar në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Është e vështirë, por ndjej përgjegjësinë për të qënë një zë i lirë. Mos harroni për asnjë moment se jeni JU motivi dhe forca ime! Me konsideratë, Gerta”, shkruan në rrjetet sociale Rigerta Loku.
Po kush është Rigerta Loku?
Ajo është vajza që u kthye në Shqipëri me një diplomë të “La Sapienza-s”, pasi kishte studiuar për Shkenca Politike, por duke mos gjetur asnjë mundësi tjetër në Shqipëri, vendosi të hapte një fermë në vendlindjen e saj, Mirditë!
Ajo tha në një intervistë për mediat se e dërgoi CV-në në disa institucione të pushtetit vendor në Rubik dhe në Rrëshen, por iu kthye mbrapsht pa asnjë shpjegim. Ëndrrat e saj për të bërë një ndryshim në vendlindje u thyen në mes.
Para ofertës për t’u rreshtuar politikisht, Rigerta Loku dhe bashkëshorti i saj, Leonard Tusha zgjodhën rrugën më të vështirë. Me paratë e kursyera në Itali, ata vendosën të ndërtojnë fermën e tyre larg qytetit dhe politikës dhe gjashtë vite më pas, janë krenarë që ia kanë dalë.
Pas fjalimit të saj në Kuvend, Rigerta është akuzuar nga Partia Demokratike. Sipas tyre mesazhi i saj ishte i inskenuar nga kryeministri Edi Rama dhe fjalimi ishte kurdisur nga politika.