Lagjja “Besëlidhja” në Lezhë është përmbytur sërish pas reshjeve të dendura që kanë rënë gjatë natës, duke sjellë probleme të konsiderueshme për banorët e zonës.
Niveli i ujit ka arritur në disa centimetra, çka ka vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe qarkullimin e automjeteve, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë pothuajse të pakalueshme.
Kjo është hera e dytë brenda vetëm 10 ditëve që “Besëlidhja” përballet me përmbytje, duke ngritur shqetësimin e banorëve mbi situatën e përsëritur dhe mungesën e zgjidhjeve afatgjata.
Lezha mbetet një prej qarqeve më të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit, me reshjet intensive që po vijojnë të shkaktojnë probleme në disa zona të qytetit dhe periferive.
