”Klodian Tanushi”, është emri i një shkolle të re, kjo në nder të ”Dëshmorit të Atdheut”, majorit që humbi jetën në krye të detyrës në Letoni. Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në përurimin e shkollës në Qesarakë, me kushte dhe hapësira moderne. Kreu i qeverisë, tha në fjalën e tij se ky gjest tregon se sakrifica e majorit do të mbetet në kujtesën kombëtare, ndërsa vlerësoi punën e tij në shërbim të atdheut. Nga ana tjetër, kryeministri Rama u shpreh se shembujt të tillë duhet t’u prezantohen fëmijëve e të rinjve në shkolla si frymëzim për përkushtimin që kanë dhënë ndaj atdheut.
“Me këtë gjest ne u themi se sakrifica sublime e djalit, bashkëshortit, babit, i përket tanimë kujtesës sonë kombëtare dhe i përket edhe vazhdimësisë së mesazhit të një jete të humbur në shërbim të atdheut për të gjithë këta vogëlushë, të cilët duhet t’i njohim me Klodianin me faktin që ishte fëmija i një familje shumë të thjeshtë, i prindërve të zakonshëm dhe që e bëri diferencën pikërisht duke qenë në lartësinë e detyrës ndaj atdheut.
Nevojë që në të gjitha shkollat fëmijët të njihen me jetën e njerëzve që kanë lënë pas emrin e tyre dhe emrin e të cilëve mbajnë shkollat. Janë shembuj që vlejnë për ta ushqyer shoqërinë, gjeneratat e reja me frymëzimin që mbart jeta e tyre. Janë dëshmorë të atdheut, janë heronj, protagonist të jetës kulturore, të përpjekjeve atdhetare, jo të gjithë të rënë në krye të detyrës por të gjithë me një jetë të përkushtuar ndaj atdheut si një detyrë mbi detyrat”, tha Rama.