Policia e Kalifornisë ka arrestuar të paktën pesë persona në lidhje me vdekjen e aktorit Matthew Perry, yllit të serialit “Friends”, raporton Sky News.
Në mesin e të arrestuarve është asistentja personale e aktorit dhe dy mjekë, të cilët e furnizuan aktorin me një sasi të madhe ketamine, tha prokurori amerikan Martin Estrada.
Estrada shtoi se ata “shfrytëzuan problemet e varësisë së Perry për t’u pasuruar”, raporton Guardian.
“Ata e dinin se çfarë po bënin ishte e gabuar. Ata e dinin se çfarë po bënin po e vinte zotin Perry në rrezik të madh, por ata e bënë atë gjithsesi. Në fund të fundit, këta të pandehur ishin më të interesuar të përfitonin nga Perry sesa të shikonin për mirëqenien e tij”, tha ai.
Perry u gjet i vdekur në një xhakuzi në shtëpinë e tij në Los Anxhelos në tetor të vitit të kaluar dhe testet e mëvonshme treguan se vdekja e tij ishte rezultat i marrjes së ketaminës, një qetësues që përdoret shpesh si narkotik.