Këtë të hënë një peshkatar gjeti një trup të pajetë në rrjedhën e lumit Shkumbin. Policia ka rrethuar zonën dhe po punon për nxjerrjen e kufomës. Trupi është konstatuar rastësisht nga një peshkatar, i cili njoftoi menjëherë banorët përreth dhe më pas autoritetet. Sipas burimeve nga vendngjarja, kufoma ndodhet aktualisht në zonën pranë ish-Metalurgjikut, një territor i vështirë për t’u arritur dhe me qasje të kufizuar.
Për të nxjerrë trupin nga lumi, është kërkuar asistenca e polumbarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit, të cilët janë në veprim për të mundësuar tërheqjen dhe transportimin e trupit drejt morgut të spitalit rajonal.
Derisa të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, nuk ka ende informacion mbi identitetin, moshën apo gjininë e viktimës. Policia është në fazën fillestare të hetimeve dhe i bën thirrje qytetarëve që kanë dijeni për ndonjë person të zhdukur, të kontaktojnë menjëherë strukturat përkatëse.
