Rikthimi në fillim të shtatorit në Londër i sopranos ruse Ana Netrebko (Anna Yuryevna Netrebko), ka ringjallur debatet dhe ka nxitur firmosjen e peticioneve për ndalimin e artistes të performojë në skenën e famshme të Operas Mbretërore.
E konsideruar si këngëtarja lirike më e madhe e gjeneratës së saj, 53-vjeçarja që nga disa vlerësohet edhe si trashëgimtare e Maria Kallas, qortohet për marrëdhënien me Presidentin rus Putin, duke u akuzuar për mbështetje të liderit të Kremlinit, mosdënimin e luftës në Ukrainë apo ndihmën e operas së Donetskut të pushtuar nga Moska, duke mbajtur edhe një flamur pro-rus në përplasjen e vitit 2014. Ajo është dekoruar “Artiste e Popullit” nga Putin dhe është ftuar të performojë në disa aktivitete madhështore në Rusi.
Për të njëjtat arsye, #Netrebko ndodhet edhe në një përballje ligjore me drejtuesit e Operas Metropolitane të Nju-Jorkut.
Me publikimin e datave të operas “Tosca” në Londër (11, 15, 18 e 21 shtator) dhe konfirmimit të ftesës për sopranon ruse, e cila gëzon edhe shtetësi austriake, dhjetra shkrimtarë e artistë ukrainas, si dhe parlamentarë britanikë, kanë shkruar publikisht, duke kërkuar përjashtimin e sopranos. Atyre u është bashkuar edhe intelektuali francez, Bernard-Henri Lévy.
