Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga tre persona, mes të cilëve njëri doganier në doganën e Kakavijës, pasi kanë kaluar mallra kontrabandë.
Sipas policisë në pranga është vënë doganieri M.M., 60 vjeç nga Tirana dhe dy persona nga Devolli, M.B., 31 vjeç dhe Xh.M., 28 vjeç.
Në aksin nacional Gjirokastër-Kakavije, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në mjetin që drejtohej nga M.B. dhe pasagjer Xh.M., dhe gjetën një sasi mallrash të konsiderueshme me pije energjike dhe qumësht, për të cilat nuk kishin paguar detyrimet doganore.
Nga hetimet e kryera rezultoi se doganieri M.M. kundrejt një sasie parash ka lejuar që shtetasit M.B. dhe Xh.M. të kalonin mallrat në hyrjen e Republikës së Shqipërisë pa paguar detyrimet doganore.
Mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës se Parë Gjirokastër për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, ” Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe ” Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.