I punësuar që në moshën 14-vjeçare në zanate të ndryshme, për Lear Kurtin u fol shumë në media mbrëmjen e 19 tetorit, atëherë kur humbi jetën. Referuar qëndrimit zyrtar të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore me datën 19 tetor në orën 23:07 minuta patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentet e identifikimit.
“Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë”,-Policia e Shtetit, 19 tetor 2022.
Pas disa orësh nga mbërritja e njoftimit zyrtar të Agjencisë së mbikëqyrjes policore, Spitali i Traumës përgënjeshtroi informacionin. Lear Kurti nuk humbi jetën në Spital.
Videot e publikuara në media në datën 20 dhe 21 tetor tregonin se si Kurti largohej nga efektivët me vrap ndërsa në një moment tjetër se si 32-vjeçari pa ndjenja tërhiqej nga krahët nga një prej policëve të patrullës së përgjithshme. Pas kësaj pikëpyetjet mbi humbjen e jetës së të riut ishin të shumta. Njëra prej tyre se përse 32-vjeçari në atë gjendje nuk u shoqërua për në spitalin e traumës kur ndalimi i tij ndodhi në zonën e Don Boskos.
Në një kohë që rezultatet e autopsisë e cila u kontestua për kohën e kryerjes së saj ende nuk kishin dalë ndërsa Prokuroria dhe AMP u kujdesën të saktësonin një qese të dyshimtë në trupin e tij, përgjigja se pse 32-vjeçari humbi jetën erdhi pas 22 ditësh. Këtë herë njoftimi erdhi nga Prokuroria e Tiranës. Sipas njoftimit shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës).
Edhe pse përgjigja e mjekësisë ligjore pritej të dilte në një konkluzion të tillë sërish pikëpyetjet mbeten? Përse nuk u shoqërua në Spitalin e Traumës vetëm disa metra larg Don Boskos? Përse policia nuk njoftoi ambulancën duke parë gjendjen e Lear Kurtit, por e njoftoi atë pasi mbërriti në komisariatin numër 3?
Vdekja në duart e policisë, Mjekësia Ligjore: Lear Kurti kishte mbidozë kokaine
Mbrëmjen e 19 tetorit, Lear Kurtit i pushoi zemra nga mbidoza e kokainës. 32-vjeçari që u shoqërua nga policët e komisariatit numër 3, nuk mbërriti i gjallë në Spital, duke shkaktuar reagim të fortë në opinionin publik. Pas një muaji, grupi i ekspertëve mjekoligjorë arritën në përfundimin se sasia e lëndës narkotike në trupin e të riut, i kishte shkaktuar atij një helmim akut dhe kishte sjellë më pas shok toksik e ndalim të zemrës.
Prokuroria e Tiranës njoftoi se akt-ekspertimi mjekoligjor mbi shkakun e vdekjes është administruar dhe bërë tashmë pjesë e dosjes hetimore. Më herët, prokuroria administroi një tjetër akt-ekspertim kimik, që provoi prani të kokainës në mbetjet e një qeseje plastike të gjetur në stomakun e të riut gjatë autopsisë.
Lear Kurti ndërroi jetë pak minuta pasi u shoqërua nga një patrullë policie në rrugën “Riza Çuka” në zonën e Laprakës. Ngjarja ngjalli debat të fortë mbi mënyrën e sjelljes së efektivëve të policisë, konstatimit të problemeve të tij shëndetësore dhe vonesës së dërgimit në spital.
Prokuroria e kryeqytetit po e heton rastin për veprat penale të “veprimeve arbitrare” dhe “mosdhënie e ndihmës”, ndërsa pas ngjarjes u pezulluan nga detyra katër nga punonjësit e policisë që u angazhuan në shoqërimin e të riut. /A2cnn/