Kantautori i njohur shqiptar, Pirro Çako ka qenë i ftuari i radhës në programin e pasdites ‘Rudina’. Përveçse foli për suksesin e këngës ‘Sekreti im’ një bashkëpunim me Xhensila Myrtezaj, ai nuk la pa prekur edhe largimin nga jeta të babait. Plot emocion ai rrëfeu një detaj shumë prekës nga një bisedë e shkëmbyer me të kur ishte ende gjallë.
“Një ditë në një debat kur babai ishte ende, i thashë: Nuk dua, nuk kthehem më në muzikë. Kurse ai u mërzit dhe m`u përgjigj: Verdi bëri muzikë deri 82 vjeç. Pse ti të mos shkruash? Shkruaj rrallë, por riktheu herë pas here. Kur ma tha e anashkalova, por tani që s`është më, e kujtoj çdo ditë këtë fjali. Kam bërë një betim të vogël me veten time. Nëse do të jem gjallë deri 82 vjeç do ia plotësoj babait atë dëshirë. Do shkruaj muzikë derisa të jem gjallë, me kujdes dhe zgjuarsi”,-u shpreh Pirro.
Më tej ai rrefeu se i ati ia dha shumë vonë vendin që i takonte.
“Babai ma dha me vonesë atë vend që më takonte, si kompozitor. Nuk e pranonte që isha kompozitor. Me vonesë, por më mirë vonë se sa kurrë. Më ngrohu kur e kuptova që më vlerësoi. Dhe pastaj më dha edhe atë këshillën që ju thashë”,-e mbylli fjalën kantautori.
Gaqo Çako ndërroi jetë vitin që shkoi dhe dhimbja është ende e fortë për familjarët dhe adhuruesit e muzikës së tij. Artisti ka lënë një vend bosh mes emrave më të mëdhenj të muzikantëve shqiptarë.